Shkollat amerikane të Biznesit po ndryshojnë tërësisht sistemin e Masterave të Administrim-Biznesit. Gjithçka është vetëm çështje kohe.
Në një vizitë në Nju Jork në tetor, Marc Benioff, CEO-ja i Salesforce, e krahasoi Facebook-un me cigaret dhe mbështeti një rritje të taksës së korporatave, para këto që do të shkonin për të trajtuar nivelin e lartë të të pastrehëve në San Francisko, shkruan The Economist.
Mesa duket, z. Benioff nuk u ndal vetëm në kritikat ndaj gjigantit të teknologjisë dhe në mbështetjen që u dha taksambledhësve. Ai kritikoi ashpër dhe madje duke sulmuar menaxhimin e sistemit të arsimit amerikan. Sipas tij, ai “programon” studentë, të cilët favorizojnë fitimin ndaj së mirës publike. Kjo, theksoi ai, nuk ka aspak lidhje me “kapitalizmin e ri”. Shumë dekanë u pajtuan me këtë pohim. “Ne kemi nevojë që studentët tanë të mendojnë për rolin e biznesit në shoqëri, veçanërisht në një moment kur kapitalizmi po sulmohet”, u shpreh William Boulding nga Shkolla e Biznesit, Fuqua, në Duke, të Karolinës së Veriut.
Nitin Nohria nga Shkolla e Biznesit në Harvard (HBS) thekson se si studentët e rinj duan që “vendi i punës të pasqyrojë qëllimin dhe vlerat”. Jonathan Levin nga Shkolla e Biznesit në Stanford (GSB) flet për përgjegjësinë e shkollave të biznesit për të njohur pasojat shoqërore të veprimeve të korporatave. “Korporatat, drejtuesit dhe pronarët e tyre duhet të veprojnë sa më parë për të rifituar besimin e humbur”, thekson ai. Shkollat e Biznesit të Amerikës vazhdojnë të renditen ende si shkollat më të mira në botë në renditjen vjetore të Masterave të Administrim-Biznesit.
Por, fatkeqësisht kjo industri po shfaq shenjat e para të paqëndrueshmërisë. Sipas Këshillit të Menaxhimit të Pranimit të Studentëve, një shoqatë e kësaj industrie, në programet amerikane të Masterave të Administrim-Biznesit (MAB) u regjistruan rreth 7 % më pak aplikantë këtë vit në krahasim me një vit më parë. Pothuajse, tre të katërtat e programeve dyvjeçare me kohë të plotë, të Masterave në Administrim-Biznes, shënuan rënie në të gjithë kontinentin. Edhe disa prej shkollave më të mira të biznesit, si Shkolla e Biznesit të Harvardit (HBS) në Boston dhe Shkolla e Biznesit të Stanford (GSB) në Palo Alto, nuk arritën t’i shpëtonin dot rënies, duke shënuar rënie të aplikimeve me mbi 6 %.
Shkollat e Biznesit në Amerikë po përballen me një konkurrencë në rritje nga jashtë kontinentit dhe mbi të gjitha nga programet online. Ne po përballemi me vështirësi të shumta, rrëfen Susan Fournier, dekane e Shkollës së Biznesit Questrom të Universitetit të Bostonit.
Kur menaxhimi i arsimit lulëzoi në vitet 1960, në shkollat amerikane ndiqnin mësim, kryesisht studentë amerikanë. Por ndërsa ekonomia botërore u globalizua në vitet 1980 dhe 1990, në të njëjtën mënyrë u globalizuan edhe kurrikulat dhe organet studentore amerikane. Sangeet Chowfla, i cili drejton Këshillin e Menaxhimit të Pranimit të Studentëve, shprehet i shqetësuar në lidhje me një problem të ri: shkollat e reja, jashtë kontinentit të Amerikës, po u krijojnë mundësinë studentëve të huaj që të studiojnë sa më afër vendeve të tyre të origjinës, duke u punësuar po aty në të ardhmen.
Janë të shumta shkollat që ofrojnë Mastera njëvjeçar në Administrim-Biznes kundrejt një çmimi shumë më të lirë në krahasim me ato që ofrohen në Amerikë. Por teksa, tre në katër programe dyvjeçare të Masterave në Administrim-Biznes në Amerikë pësuan rënie në numrin e aplikantëve të huaj, numrat e studentëve që po aplikojnë në Shkollat e Biznesit në Azi shënuan rritje me 9 % nga viti 2017 në 2018. Edhe sulmi i fundit i Amerikës ndaj emigrantëve, po ndikon negativisht në këtë drejtim, duke e ulur numrin e studentëve të huaj që aplikojnë në Shkollat e Biznesit në Amerikë.
Por edhe vetë amerikanët po aplikojnë gjithnjë e më pak në Masterat e Administrim-Biznesit. Më shumë se gjysma e shkollave amerikane të biznesit raportojnë rënie në regjistrimin e aplikantëve vendas. Kostot e larta të shkollimit, të cilat kanë kapërcyer inflacionin, i vendosin ato në të njëjtin nivel vështirësie me aplikantët e huaj.
Një Master i nivelit të lartë në Administrim-Biznes i kushton një studenti amerikan më shumë se 200,000 dollarë amerikanë (përfshirë kostot e jetesës). Edhe ata studentë të cilët kanë arritur të përfitojnë ndihmë financiare, e kanë gjetur veten në fund të studimit me një vlerë prej 100,000 dollarësh amerikanë, të cilën duhet ta paguajnë për të përfunduar shkollimin e tyre.
Kërkesa e dobët ka ndikuar në rënien me gati një të dhjetën të numrit të programeve në Masterat në Administrim-Biznes me kohë të plotë në Amerikë, në periudhën midis 2014 dhe 2018, sipas Shoqatës për të zhvilluar më tej përparimin e Shkollave të Biznesit, një organ tjetër i kësaj industrie.
Geoffrey Garrett, dekani i Shkollës Wharton, në Universitetin Pensilvania, beson se nga rritja e nivelit të cilësisë do të përfitojë shumë institucione, përfshirë edhe institucionin e tij, por mbi të gjitha të diplomuarit e tyre. Zakonisht studentët i rikuperojnë investimet brenda pak vitesh. Duke mos llogaritur bonuset e nënshkrimit, paga mesatare bazë për të diplomuarit e pesë shkollave amerikane me potencial më të lartë fitimi ishte 139,000 dollarë amerikanë.
Kompanitë e konsulencës dhe bankat e investimeve, historikisht rekrutuesit më të mëdhenj të Masterave në Administrim-Biznes, shprehen se dëshira për të ndjekur një kurs të tillë studimesh nuk mund të bjerë kurrsesi. Sipas Kostya Simonenko, një konsulent 28-vjeçar, i cili po largohet nga kompania e konsulencës të Oliver Wyman (e cili po paguan për ndjekjen e kursit të tij në Shkollën e Biznesit të Kolumbias), investimi në një Master të nivelit të lartë në Administrim-Biznes është hedhja e themeleve të forta për karrierën tuaj të ardhshme.
Edhe Silicon Valley, e cila dikur ka qenë një kritikuese dhe kundërshtuese e ashpër e Masterave në Administrim Biznes, duke i konsideruar ato si shkolla me një pagesë shumë të lartë, kohët e fundit po tregohet më pak armiqësore. Por teksa startup-et rriten dhe zhvillohen në korporata të mëdha, ato kanë nevojë edhe për menaxherë, të cilët do të marrin në dorë drejtimin e tyre, prandaj nuk kanë nevojë vetëm për inxhinierë softuerësh për t’i programuar ato. Sipas një studimi të kryer së fundmi nga Këshilli i Menaxhimit të Pranimit të Studentëve, rreth 80 % e kompanive të teknologjisë planifikuan të punësonin studentë me Mastera në Administrim-Biznes, së bashku me konsulencat (82%) dhe firmat financiare (77%).
Konkurrenca globale dhe platformat e reja të teknologjisë online mundësojnë një strukturë me kosto më të ulët për ofrimin e kurseve të Administrim-Biznesit, por njëkohësisht edhe kundrejt një cilësie të lartë. Kjo ka qenë arsyeja kryesore se përse Questrom është bashkuar me edX, një kompani e madhe online në industrinë e arsimit, për të ofruar një diplomë të plotë online për Master në Administrim-Biznes kundrejt pagesës prej vetëm 24,000 dollarësh amerikanë, më pak se një e treta e kostos nëse një student do ta ndiqte këtë kurs në kampusin e Questrom. Shkolla Sloan, që është Shkolla e Biznesit për Institutin e Teknologjisë në Masaçusets (MIT) ofron në mënyrë të ngjashme një paketë të përballueshme të kurseve online, të cilat quhen MicroMasters dhe që mbulojë fusha si menaxhimi i zinxhirit të furnizimit dhe financave. 2U, një platformë edukative online, po prezanton skema të shkollimit për të ndjekur kurse në Mastera në Administrim-Biznes.
Kjo platformë do të ndajë kostot me Shkollat e Biznesit me të cilat ajo do të bashkëpunojë, ndërkohë që studentëve do t’u kërkohet të shlyejnë detyrimet e tyre vetëm pasi të kenë gjetur një vend pune. Sot, nuk ka ndryshuar vetëm mënyra e mësimdhënies së kurse të Administrim-Biznesit, por edhe ajo çka u mësohet studentëve. Shumë kapitalistë të zgjuar pajtohen me mendimin e z. Benioff, në drejtim të menaxhimit të sistemit të arsimit amerikan që, sipas tij programon studentë, të cilët favorizojnë fitimin ndaj së mirës publike.
Në Stanford, Luisa Gerstner, një studente gjermane e gjeneratës së mijëvjeçarit dhe që po vazhdon studimet për Administrim-Biznes, thekson se kapitalizmi i qëndrueshëm luan rol më të rëndësishëm në shkollat europiane. Julia Osterman, shoqja e saj e klasës amerikane, ankohet nga fakti se pavarësisht temave të shumta sociale, mjedisore dhe etike që mbushin kurrikulën e saj, klasat më të rëndësishme vazhdojnë të jenë ato të “Financë 101”. Edhe disa prej profesorëve të tyre, madje disa prej më të vjetërve, nuk bien dakord me këtë gjë.
Në Shkollën e Biznesit të Harvardit, rreth një e treta e këtij fakulteti e kundërshton këtë. Padyshim, situata shoqërohet me shumë pikëpyetje, shprehet z. Boulding. Sipas tij, të paktën shkollat duhet t’u ofrojnë studentëve “korniza të caktuara nëpërmjet të cilave ata mund të bëjnë zgjedhjet e tyre”. Një lëndë e re në Universitetin e Dukës quhet “Kapitalizmi dhe qëllimi i përbashkët në një botë ndryshimesh”. Ndërsa në Shkollën e Biznesit të Harvardit, lënda “Udhëheqja dhe Përgjegjësia e Korporatave”, është një prej më të preferuarave dhe rrjedhimisht edhe një prej më të frekuentuarave nga studentët e viteve të para.
Edhe programet mësimore në Shkolla të ndryshme të Biznesit po ndryshojnë gjithashtu. Kështu për shembull, dekani i Shkollës së Biznesit së Kolumbias, Costis Maglaras (inxhinier me profesion) po shton në programet e shkollës lëndë si, Programimi, Analitika, Të dhënat, etj. Teksa popullariteti i tyre rritet, ato mund të zëvendësojnë dalëngadalë edhe disa prej lëndëve më të frekuentuara të kurrikulave mësimore të së kaluarës. Për shembull, nëse Shkolla e Biznesit të Kolumbias, dikur ofronte kurse të ndryshme mbi tregjet e borxheve, tani e ka reduktuar numrin në një kurs të tillë gjatë një viti akademik.
Ndërkohë numri i studentëve që po frekuentojnë lëndë që lidhen me Programimin apo më Të dhënat, është rritur. Ndryshimet po bëhen kryesisht për t’i përgatitur studentët që të jenë të aftë që të menaxhojnë edhe çështje teknike, shprehet z. Maglaras. Një rekrutues për një firmë të madhe konsulence pohon se të gjithë të diplomuarit në Administrim-Biznes por që i kanë alternuar lëndët gjatë shkollimit të tyre edhe me ato të fushës teknologjike, bëjnë pjesë në kategorinë e kandidatëve më të preferuar për t’u punësuar.
Të shumtë janë edhe dekanët dhe ish-dekanë, të cilët bien dakord me faktin se kurrikulat në Shkollat e Biznesit duhet të ndryshohen. Një prej tyre është ish-Dekani i Shkollës së Biznesit Haas në Universitetin e Kalifornisë dhe dekani i Universitetit të Shkollës së Biznesit Ross në Miçigan. Edhe stafi i ri që do të japë mësim në këto lëndë të reja nuk do të jetë nga brezat e hershëm të të diplomuarve në disa prej Shkollave më të njohura të
Biznesit, shprehet John Kao, një mësues menaxhimi i cili dikur jepte mësim në Shkollën e Biznesit të Harvardit. Në Shkollën e Biznesit në Harvard, një prej më të famshmeve të kësaj kategorie, z. Nohria, e pranon faktin se tregu për kurrikulat tradicionale që kjo shkollë ofron po tkurret me kalimin e kohës. Ai thekson se po shikon një rritje dramatike për kurset online, që sipas tij veprojnë aktualisht në mënyrë të paligjshme. Por, kjo është vetëm çështje kohe dhe shumë shpejt këto kurse online do të kërkojnë bashkëpunimin me Shkollat e vërteta të Biznesit, thotë në fund ai.