Sa do të ulen pagat te ndërmarrjet publike me Ligjin e ri?

Nga 1 dhjetori, Kryeshefi Ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi nuk do ta ketë më pagën prej 4 mijë e 453 euro.

Me ligjin e ri për paga, koeficienti më i lartë në ndërmarrjet publike do të jetë 7, që përkthyer në vlerë monetare i bie 1 mijë e 673 euro.

Buletini Ekonomik ka analizuar Nenin 23 dhe 27 të Ligjit të ri për Paga, ku ka kalkuluar pagat aktuale në ndërmarrjet publike, në raport me ndryshimet e reja që pritet të ndodhin me ligjin e ri.

Reklama e sponzorizuar

Kështu, sipas këtij ligji në ndërmarrjet publike qendrore, koeficienti më i ulët do të jetë koeficienti 1, kurse koeficienti më i lartë 7. Përkthyer në vlerë monetare, pagat në ndërmarrjet publike do të jenë nga 239 euro deri në 1 mijë e 673 euro, si ajo e Kryeshefit Ekzekutiv.

Ligji i ri do t’i prekë edhe pagat e punëtorëve në ndërmarrjet komunale, ku koeficienti më i lartë do të jetë koeficienti 5, afërsisht 1 mijë e 200 euro, pagë kjo për menaxhmentin e lartë, dhe jo më pak se 239 euro për punëtorët.

Me ligjin e ri, qeveria do ta ketë të drejtën që për ndërmarrjet të cilat nuk performojnë pozitivisht dhe punojnë me humbje, t’i caktojë vetë pagat e punëtorëve tek ato ndërmarrje.

Buletini Ekonomik mëson se ulja e madhe e pagave tek ndërmarrjet publike është njëra nga arsyet kryesore se pse po kundërshtohet Ligji i ri i Pagave. /Buletini Ekonomik/