Ministri në detyrë i Mjedisit, Fatmir Matoshi, është zotuar se që nga janari, veturat do të jenë të obliguara të pajisen me pullën mjedisore, e cila do të bartë në vete edhe kosto financiare.
Matoshi ka thënë se, ndonëse përafërsisht një vit me vonesë, kjo pullë mjedisore, e cila shërben si matës për emetimin e gazrave ajër, do t’u vendoset veturave gjatë bërjes së kontrollit teknik, raporton KTV.
Matoshi ka shtuar se në këtë vendim janë të përfshira edhe Ministria e Financave dhe ajo e Infrastrukturës.
Por, kjo e fundit kishte kërkuar që të shtyhet aplikimi i saj, sepse, sikur thanë, paraprakisht qendrat e kontrollit teknik duhet të pajisen me mjete të duhura.
Por, tash, nga Ministria e Infrastrukturës, thonë se ka dy muaj që komisioni i përbërë nga këto tri dikastere nuk është takuar në përbërje të plotë dhe se fillimi i aplikimit të këtij vendimi është vështirë i realizueshëm.
Përderisa të gjitha qendrat e kontrollimit teknik, sipas ministrisë së Infrastrukturës, janë të pajisura me mjete të duhura, zyrtarë të tyre nuk kanë dashur të prononcohen, e megjithatë kanë konfirmuar se janë të gatshëm që ta aplikojnë këtë vendim.