Prej vitit 2010 krerët institucionalë të Kosovës kanë premtuar pareshtur heqjen e vizave për Kosovën. Por edhe tash, kur ka kaluar një dekadë nga nisja e varganit me zotime për liberalizim qytetarët po vazhdojnë ta kenë të pamundur të udhëtojnë pa viza në vendet e Zonës Shengen.
Qeveritë e njëpasnjëshme të Kosovës gjatë këtij 10-vjeçari dështuan t’i bindin shtetet e BE-së se i kanë plotësuar kriteret për heqjen e vizave.
Po bëhen dhjetë vjet prejse liderët institucionalë të Kosovës kanë nisur t’i servojnë para qytetarëve premtimet për heqjen e vizave. Qysh në vitin 2010 qe dhënë garancia se në një afat prej disa muajsh do të largohej përfundimisht regjimi i vizave.
I pari që pati nisur këtë avaz ishte kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçi. Njëjtë patën vazhduar edhe pasardhësit e tij Isa Mustafa e Ramush Haradinaj. Ky i fundit madje ende po vazhdon të japë data për liberalizim. Ka kaluar gati një dekadë prejse kanë nisur zotimet e tilla dhe qytetarët e Kosovës po vazhdojnë të mbeten të izoluar.
Sikurse 2010-a, 2011-a, 2012-a, 2013-a, 2014-a, 2015-a, 2016-a, 2017-a, 2018-a, 2019-a edhe 2020-a për Kosovën pritet të nisë pa liberalizim të vizave. Ekspertët e procesit të integrimit thonë se liberalizimi i vizave për Kosovën nuk është temë e diskutimit në Këshillin e Ministrave. /Zëri/