Pacolli e Thaçi akuzohen për politizim të tërësishëm të Shërbimit të Jashtëm

Behgjet Pacolli, ministër në detyrë i Punëve të Jashtme, është akuzuar nga njerëz të institucionit që e drejton se nuk ka reshtur së marri vendime të jashtëligjshme gjatë dy vjetëve dhe se me to e ka politizuar në tërësi Shërbimin e Jashtëm. Hisedar në një numër shkeljesh të njëjtët kanë identifikuar edhe presidentin Hashim Thaçi, shkruan sot Koha Ditore.

Akuzat janë shprehur në një shkresë 5-faqëshe të Shoqatës Sindikale të Shërbimit të Jashtëm, e cila këtë të martë ia ka drejtuar Pacollit, dhe kopjen e njëjtë ua ka përcjellë edhe Zyrës së presidentit, Zyrës së kryeministrit, sekretarit të Kuvendit, Agjencisë Kundër Korrupsionit, Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm, si dhe disa autoriteteve të tjera.

Reklama e sponzorizuar

Në të është treguar se, jo veç pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj, por as pas mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme Pacolli nuk është përmbajtur nga marrja e vendimeve të jashtëligjshme, nëpërmjet të cilave njerëz të politikës i ka bërë pjesë të misioneve diplomatike.

Sindikata ka konsideruar se, duke u shkelur ligji, janë marrë së paku 26 vendime, qoftë për emërimin e konsujve dhe personelit tjetër diplomatik, qoftë për emërimin e konsujve të përgjithshëm.

“Ju tani si ministër i Punëve të Jashtme në detyrë, gjatë periudhës së dorëheqjes së Qeverisë, nuk keni të ndalur në lëshimin e vendimeve të kundërligjshme, duke emëruar konsuj dhe propozuar konsuj të përgjithshëm te presidenti i Republikës, të cilët nuk janë anëtarë të Shërbimit të Jashtëm në MPJ”, thuhet në letër, një kopje të së cilës e ka siguruar “Koha Ditore”.