PROBLEMI I NJOHURISË DHE INTERVENIMI I SHTETIT – FRIEDRICH HAYEK

Në librin e tij “Përdorimi i Dijes në Shoqëri” (ang.“The Use of Knowledge In Society”), ekonomisti Friedrich Hayek shpjegoi se informacioni në lidhje me ofertën dhe kërkesën, mungesën dhe bollëkun, dëshirat dhe nevojat nuk ekziston në një vend të vetëm në asnjë ekonomi. Me fjalë të tjera, ekonomia është shumë aq e madhe dhe e komplikuar saqë është e pamundur që të mblidhen të gjitha informatat me një vend.

Çdo planifikues ekonomik i cili përpiqet ta bëjë këtë do të përfundojë i keqinformuar dhe i informuar me vonesë, gjithmonë duke reaguar ndaj ndryshimeve ekonomike në një mënyrë të ngathët dhe tepër të vonshme, duke u detyruar të reagojë përsëri për të rregulluar problemet që krijuan gabimet e mëparshme, duke krijuar probleme të reja, dhe kështu me radhë.

Reklama e sponzorizuar

Mekanizmat e tregut, si çmimi, bëjnë një punë më të mirë sesa planifikuesit, sepse ato inkorporojnë në vetvete atë që dijnë të gjithë njerëzit si individë dhe si tërësi në mënyrë indirekte përmes sinjaleve si çmim, pra pa pasur nevojë për një planifikim qendror. Pra, Hayek pohon se një ekonomi e planifikuar në nivel qendror nuk mund të arrijë kurrë efikasitetin e tregut të hapur, sepse ajo që dihet nga një agjent i vetëm është vetëm një pjesë e vogël e shumës totale të njohurive të mbajtura nga të gjithë anëtarët e shoqërisë.

Kështu, pavarësisht se sa të thjeshta dhe tërheqëse të duken programet e ekonomisë së centralizuar, është fakt i sigurtë që ato do të rrëzojnë planifikuesit dhe promovuesit e tyre për shkak se planifikuesit asnjëherë nuk mund të kenë informacion perfekt dhe mençuri për të implementuar pa efekte anësore programet e tyre në një ekonomi të komplikuar.

Kjo gjetje e Hayek për ekonominë dhe rregullimin shpesh quhet nga ekonomistët: “Problemi i Njohurisë”.