Sektori i turizmit në Kosovë i harruar nga autoritetet e shtetit

Kosova, edhe pse një vend i vogël që ka më pak se 2 milionë banorë dhe vetëm rreth 11 mijë kilometra katrorë sipërfaqe, nuk është e mangët për nga burimet dhe potencialet turistike.

Malet e Sharrit, Kalaja e Prizrenit, Ujëvara e Mirushës, Drini i Bardhë, Shpella e Gadimes, resorti i skijimit në Brezovicë, janë vetëm disa prej atraksioneve që tërheqin vizitorë nga shumë shtete çdo vit. Turizmi, si potencial  i të ardhurave dhe njëkohësisht edhe i zhvillimit ekonomik, pa dyshim që ka nevojë t’i përgatiten politikat adekuate, në mënyrë që të zhvillohet sa më shumë.

Mirëpo edhe përkundër potencialit të madh, sektori i turizmit vazhdon të mbetet një nga sektorët më të pazhvilluar në Kosovë. Autoritetet shtetërore në 20 vitet e fundit nuk kanë bërë ndonjë strategji serioze për zhvillimin e kësaj fushe.

Reklama e sponzorizuar

Sipas profesorit dhe ekspertit të turizmit, Zekë Çeku, asnjë Qeveri që nga paslufta nuk e ka pasur prioritet zhvillimin e turizmit, madje e ka neglizhuar skajshmërisht.

“Asnjë qeveri, që nga pas lufta, madje edhe pas Shpalljes së Pavarësisë, nuk është angazhuar në vënien e Zhvillimit të Turizmit, në mesin e prioriteteve. Përkundrazi, për shkak të paditurisë dhe njohurive lidhur me rolin dhe rëndësinë e turizmit, sot sektori më i zhvilluar në botë, turizmi është neglizhuar skajshmërisht, sidomos në nivelin e pushtetit qendror dhe në komunën e Prishtinës. Përderisa qeveritë investojnë, ose ju kthejnë bizneseve nga Bujqësia, grante dhe subvencione rreth 60 milionë në vit, në turizëm nuk investohet asnjë cent nga institucionet. Mjafton të shikojmë së në çfarë niveli është e përfaqësuar turizmi në qeveri, dhe të kuptojmë marrëzinë ose nonsensin e pushtetarëve ndaj turizmit”, ka thënë Çeku për FaktePlus.

Ai thekson se turizmi në Kosovë është zhvilluar sadopak vetëm me investimet e bizneseve dhe donatorëve privat dhe atë vetëm në komuna të caktuara.

“Turizmi është zhvilluar ekskluzivisht me angazhimin e biznesit privat dhe përkrahjes morale nga donatorët, dhe kështu si është, zë vend në mesin e sektorëve që punëson numrin më të madh, është ndër të parët në eksport (eksporti i brendshëm, ngasë turistët sjellin paratë nga jashtë, përfshirë edhe diasporën), sikurse edhe të hyra të rëndësishme nga tatimet dhe taksat. Në nivelin komunal, ka lëvizje pozitive vetëm në komunën e Pejës, paksa të Prizrenit dhe të Graçanicës, gjersa në Prishtinë, ndonëse është numri më i madh i vizitorëve dhe fjetjeve, nuk kanë asnjë zyre dhe asnjë zyrtar për turizëm, gjersa Graçanica, ka 2 zyre dhe 3 zyrtarë”, ka shtuar ai.

Për profesor Çekun, në këtë sektorë duhet të investohet më shumë për shkak disa të faktorëve si zbutja e varfërisë, impaktet në zhvillimin zinxhiror të shumë sektorëve tjerë, eksporti i brendshëm etj, që sipas tij e bëjnë sektor që ka potencial në vend.

“Efekti në përdorimin e produkteve lokale e vendore, sidomos ato të komuniteteve, zhvillimi i integruar rural (bujqësia, turizmi, artizanalet), punësimi, sidomos i të rinjve dhe femrave, zbutja e varfërisë, sidomos asaj rurale dhe familjare, eksporti i brendshëm (“importimi” i konsumatorëve ndërkombëtar), zhvillimi i baraspeshuar rajonal, ndalimi i zbrazjes së fshatrave në zonat malore, sidomos ato në vijat kufitare, impaktet në zhvillimin zinxhiror të shumë sektorëve tjerë (industria ushqimore, komunikacioni, materiali ndërtimore, energjia, tregtia, etj), qëndrueshmëria zhvillimore (shfrytëzimi i aseteve të ripërtritshme)”, janë faktet që tregojnë se turizmi është një ndër sektorët më premtues e efektiv, ka deklaruar Çeku.

Tash kur jemi afër stinës së dimrit, pa dyshim që presim qw vendet e caktuara të frekuentohen nga turistë vendorë e të huaj, siç janë Brezovica, Malet e Sharrit etj.

Për Çekun, turizmi dimëror ka degraduar në tërësi dhe tani Kosova i ka punët edhe më keq se në ish- Jugosllavi.

“Kosova, fatkeqësisht, më keq i ka punët aktualisht sesa më herët, në Ish-Jugosllavi, sa i përket Turizmit Dimëror. Dikur Brezovica ishte ndër vendet më të vizituara në rajonin e Ballkanit, tani është gadi plotësisht e degraduar, jo vetëm Qendra e dikurshme për shkak të mungesës së investimeve, porse edhe mjaft e degraduar nga ndërtimet pa leje dhe pa standarde. Boga është degraduar dhe nuk ka ndonjë kapacitet serioz të pranimit të turistëve. Diçka më shumë është investuar nga biznesi privat në Bjeshkët e Brodit, por gjithnjë kapacitet të pamjaftueshme”, ka shtuar ai.

Për të, që të zhvillohet turizmi duhet që ai të vendoset si prioritet zhvillimor, të hartohet urgjentisht Plani Strategjik i Zhvillimit të Turizmit, Agjencioni Qeveritar për Zhvillimin e Turizmit, të përfshihet turizmi në ndarjen e granteve dhe subvencioneve, të ulet TVSH-ja në shkallën nën 8% për bizneset Hoteliere, të gastronomisë dhe për agjencitë e udhëtimeve që sjellin turistë në Kosovë etj.

Ai thotë se vendet më të frekuentuara janë Prishtina, Prizreni, Peja dhe Gjakova, pastaj Bjeshkët e Sharrit, Rugova me Grykën dhe Fshatrat e Rugovës, si dhe Prekazi. Numri më i madh i tyre sipas tij, janë nga diaspora, pastaj nga Shqipëria, Turqia dhe nga vendet e rajonit e Evropës.

FaktePlus ka dërguar disa herë pyetje rreth planit për zhvillimin e turizmit dhe ka kërkuar të dhëna rreth destinacioneve më të vizituara e vizitorëve edhe në Divizionin e Turizmit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, por nuk ka marrë përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.

Ndërsa, sipas të dhënave të një ankete të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për tremujorin e tretë të këtij viti, në Kosovë janë shfrytëzuar 15.25 % të kapaciteteve hoteliere, që krahasuar me tremujorin e dytë, është për afro 4 % më i madh.

Sipas kësaj ankete, numri i vizitorëve vendorë arrin në 32 mijë e 91 që krahasuar me tremujorin e kaluar është për 7 mijë më i madh, ndërsa krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, është për 3 mijë e 300 vizitorë më i madh.

Sa i përket regjioneve, rajoni më i vizituar nga vendorët është ai i Pejës, me 12 mijë e 219 vizitorë.

Sipas këtij publikimi, numri i vizitorëve të jashtëm arrin në 53 mijë e 984 që krahasuar me tremujorin e kaluar është për afro 10 mijë më shumë. Ndërsa, krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar, është për 14 mijë vizitorë më pak.

Prishtina është qyteti që vizitohet më shumë nga vizitorët e jashtëm, me gjithsej 27 mijë e 453vizitorë.

Sa i përket vizitorëve të huaj, numri më i madh i vizitorëve në këtë tremujor ka qenë nga Shqipëria, gjithsejt 8 mijë e 889 vizitorë. Pas Shqipërisë, nga Gjermania kanë ardhur 7 mijë e 83 vizitorë, nga Zvicra 5 mijë e 586 etj.

Duke i krahasuar me vitet e kaluara, të dhënat tregojnë që ka pasur një rritje të lehtë të vizitorëve vendor e zvogëlim të atyre të huaj. /FaktePlus/