Lideri i Iranit, Ali Khamenei, ka folur për Shqipërinë të cilën e ka quajtur një vend të lig evropian që po strehon armiqtë tanë.
“Është një vend shumë i vogël por shumë i keq evropian, ku elementë amerikanë bashkëpunojnë me tradhtarë iranianë dhe planifikojnë kundër Republikës Islamike. Dhe plani që kishin u pa qartë, me protestat që u mbajtën në Iran, pasi disa nga ata tradhtarë erdhën në Iran për të protestuar. Agjentë armiq nisën të zbatojnë planin për të sabotuar, vrarë dhe për të shkatërruar si qeverinë ashtu dhe kushtetutën tonë”, citohet të ketë thënë Khamenei, raporton TopChannel.
Shqipëria ka pranuar muxhahedinët iranianë në vitin 2016 në bazë të një marrëveshje me SHBA-në.
Ndërkaq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaron se muxhahedinët iranianë në Shqipëri janë pjesë e një operacioni humanitar dhe jo politik. Në një komunikim me gazetarët shqiptarë, Rama tha nga Vjena se qëndrimi humanitar i opozitës iraniane në Shqipëri është shkruar edhe në marrëveshje.
Kryeministri shqiptar theksoi se vendi nuk ekspozohet nga një kërcënim i mundshëm si rrjedhojë e përballjes Iran-SHBA.
“Së pari kjo është një temë dhe një çështje që nuk është e re për ne në raport me Iranin. Ne kemi ndërmarrë një veprim që i bën nder Shqipërisë që është në vazhdën e traditës shqiptare dhe në vazhdën e një aleance strategjike të panegociueshme me SHBA, për t’i hapur dyert një grupi njerëzish që i rrezikohet jeta. Siç shkruhet edhe në marrëveshje, ata në Shqipëri janë si operacion humanitar dhe jo politik. Nuk besoj se kjo e ekspozon në mënyrë të veçantë Shqipërinë dhe nuk kemi arsye të besojmë këtë sepse jemi në kontakt permanent me aleatët tanë dhe kur është puna te inteligjenca ata janë të pakonkurrueshëm. Jemi në duar të sigurta kur është fjala te marrja e informacionit”, u shpreh Rama.