Nënkryetari i AKR’së: Kurti të mos bëjë ndonjë aventurë të hënën

Ministri në detyrë i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi ka thënë se AKR-ja nuk do ta votojë Qeverinë Kurti, raporton Gazeta Express.

Matoshi përmes Facebook-ut ka shkruar që të hënën Kurti të mos bëjë ndonjë aventurë për të formuar qeverinë pa marrëveshje për koalicion.

“AKR nuk pret që mandatari Kurti ditën e hënë të bëjë një aventurë në Kuvendin e Kosovës, dhe të hyjë në votim pa arritur marrveshje koalicioni me partnerët e tij”, ka shkruar ai.

Reklama e sponzorizuar

Tutje, nënkryetari i AKR-së, ka thënë se partia të cilës i takon nuk do ta votojë qeverinë Kurti.

“Qëndrimi i AKR-së përderisa është në opozitë, për cilëndo qeveri ose mandatar është i njejtë. Ne nuk e votojmë asnjë qeveri pjesë e së cilës nuk jemi, ne nuk mund të ndryshojmë as vullnetin e elektoratit tonë që na ka dhënë besim dhe as vijat e kuqe të z. Kurti ose ndonjë lideri tjetër në vend”, ka thënë Matoshi.

Ministri në detyrë ka thënë se partia e tij do ta mbështesë qeverinë në tema nacionale por jo në agjenda politike.

“Prandaj AKR do të mbështes cilëndo qeveri në tema nacionale të vendit, por jo në agjenda politike të ndonjë subjekti politik. AKR do të mbetet në pozicion e opozitës brenda Kuvendit të Kosovës”, është shprehur Matoshi./GazetaExpress/