Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) ia ka anuluar vendimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit (MIT) për anulimin e tenderit 1.5 milionë euro për ekzaminim kontrollues për materiale dhe kualitetin e punëve në projektet e infrastrukturës rrugore.
Ky tender ishte anuluar nga Ministria me arsyetimin se të gjitha ofertat ishin të papërgjegjshme, për shkak se shumica prej tyre kishin ofruar “çmime jonormalisht të ulëta”.
Por, sipas Panelit Shqyrtues të Prokurimit, një vlerësim i tillë është i pabazuar në prova dhe dëshmi bindëse, shkruan Koha Ditore. Kjo është hera e dytë që kjo lëndë kthehet në rivlerësim me arsyetimin e njëjtë. Në vendimin paraprak, OSHP-ja kishte aprovuar ankesën e një operatori ekonomik, që ishte eliminuar nga autoriteti kontraktues shkaku i ofertës me çmime jonormalisht të ulëta.
“Ajo ofertë ishte me çmimin më të ulët prej të gjitha ofertave konkurruese në këtë aktivitet të prokurimit. Pra, mbi bazën e vendimi të OSHP-së autoriteti kontraktues nuk është dashur t’i eliminojë ofertat për çmime jonormalisht të ulëta, sepse ai vendim e vërteton të kundërtën”, thuhet në vendimin e OSHP-së.
Sipas tij, autoriteti kontraktues gjatë rivlerësimit të ofertave nuk ka respektuar nenet 59, 61 dhe 62 të Ligjit të Prokurimit Publik që kanë të bëjnë me vlerësimin e ofertave.