Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa u takuan dje për ta çuar në fund marrëveshjen bashkëqeverisëse të lënë në gjysmë tash e dy javë. Ndonëse edhe në këtë takim, që zgjati rreth 3 orë, nuk u morën vesh, dy liderët së paku janë pajtuar të bisedojnë prapë gjatë ditës së sotme. Sipas analistëve, mosarritja e marrëveshjes qeverisëse LVV – LDK mund të çojë në krijimin e një qeverie teknike, e cila do të mundë t’i shmangte zgjedhjet së paku për një vit, shkruan sot gazeta Zëri.
Njohësi i çështjeve politike, Rasim Alija, në një prononcim për gazetën ka thënë se me ndërprerjen e negociatave LVV – LDK marrëveshja për koalicionin qeverisës është bërë vështirë e arritshme. Pavarësisht kësaj, Alija bën thirrje të tejkalohen ndasitë dhe të dyja partitë të gjejnë një alternativë të përbashkët, në mënyrë që t’i shmangin zgjedhjet e reja.
“Është e rëndësishme që LVV-ja e LDK-ja t’i heqin si opsion zgjedhjet e reja. Duke i hequr zgjedhjet si opsion duhet të ndërtojnë një alternative qeverisëse, duke bërë ndarjen e pozitave, që më pas do të reflektonte në qeverisjen e tyre. LDK-ja mund të mbesë në kërkesën për president dhe të kërkojë mbi 6 ministri, por mbetet të shihet se sa do të jenë të pranueshme për LVV-në këto kërkesa eventuale të LDK-së”. Mirëpo nëse një gjë e tillë nuk është e mundshme Alija ka përmendur një opsion tjetër, që mund t’i shmangë zgjedhjet së paku për një vit. “Nëse marrëveshja LVV – LDK nuk arrihet opsion mund të jetë një qeveri teknike me mandat 1-vjeçar ose skenari i zgjedhjeve të reja”, ka përfunduar ai.