Shtatë aleancat për pushtet në Kosovë

Emisioni Cosmo në Kohavision ka bërë një përmbledhje të shtatë aleancave për pushtet në Kosovë.

Duke filluar nga koalicioni i vitit 2001 e deri tek ai i fundit që po tentohet të arrihet.

Koalicioni 2001, Rugova nën ethe për votat e PDK-së

Reklama e sponzorizuar

Dimri i 2001-s do t’i gjente kosovarët duke hedhur votat e para pa frikë për të zgjedhur Qeverinë e parë të pasluftës.

Zgjedhjet e para parlamentare i dhanë LDK-së numrin më të madh të deputetëve në krahasim me dy partitë tjera rivale, PDK-në e Hashim Thaçit dhe AAK-në e Ramush Haradinajt, e cila vetëm sa ishte formuar.

Por, situata politike ishte e tensionuar. LDK-ja kishte humbur disa zyrtarë, vrasja e të cilëve vazhdon të jetë mister, e partitë e dala nga lufta ushqenin antagonizëm ndaj Ibrahim Rugovës dhe LDK-së.

Por, pas rreth tre muaj negociatash, Kosova e administruar nga UNMIK-u, do ta krijonte Qeverinë e parë në shkurt të vitit 2002.

Për ta bërë këtë, u desh ndërhyrja e fortë ndërkombëtare, e në krye të përpjekjeve ishte shefi i atëhershëm i UNMIK-ut, Michael Steiner.

LDK-ja u pajtua të hynte në një qeverisje me PDK-në, por pa Hashim Thaçin në të.

Dhe, ky duket të ishte kompromisi i madh që dy partitë me rivalitet gati armiqësor, të shtrijnë dorën e pajtimit, duke e pasur edhe AAK-në në Qeveri.

Derisa pa problem do të votohej kryeparlamentar Nexhat Daci, e kryeministër Bajram Rexhepi, PDK-ja do ta vinte në lojë e tension fituesin e zgjedhjeve duke mos i dhënë votat në dy rundet e para.

Ramush Tahiri ka rrëfyer momentet e dëshpërimit dhe tensionet që kishte pasur Rugova, pasi marrëveshja për votim në paketë nuk po ndodhte.

Kjo qeveri përfundoi mandatin e saj në vitin 2004.

2004, Imunitarizimi i Haradinajt

Për të dytën herë, LDK-ja do të triumfonte në zgjedhjet e 2004-s.

Pavarësisht rezultatit të thellë, asaj i duhej një partner për qeverisje.

Rugova nuk donte një qeverisje të dytë me PDK-në e as një të tillë gjithëpërfshirëse.

Ishte orientuar që si partner të koalicionit ta merrte AAK-në, të udhëhequr nga Ramush Haradinaj.

Por, kjo do ta fuste në bela me amerikanët. Ish-komandanti i UÇK-së për zonën e Dukagjinit, Ramush Haradinaj, veçse ishte duke u hetuar për krime lufte.

Sipas Merovcit, po ky fakt do të ishte thyerja e parë e marrëdhënieve ndërmjet Rugovës dhe bashkësisë ndërkombëtare.

Por, prapaskena të shumta kishte arritja e marrëveshjes.

Amerikanët do të pajtoheshin, por vetëm pas zotimit të Haradinajt se do të dorëzohej vullnetarisht në Hagë nëse do të akuzohej si kryeministër.

Tahiri ka theksuar se ideja ka qenë që para së gjithash të jepej mesazhi se Kosova do ta dorëzojë edhe kryeministrin në tribunal.

Ndonëse LDK-ja kishte marrë 44 deputetë, e partia e Haradinajt vetëm 11, postin e shefit të Qeverisë e kishte marrë Haradinaj.

Ai kishte qëndruar në krye të Qeverisë vetëm për rreth 100 ditë, pasi që kishte dhënë dorëheqje ashtu siç kishte premtuar në momentin kur Lari Rosin ia kishte sjellë në Prishtinë aktakuzën për krime lufte, që i ishte ngritur nga Gjykata e Hagës në atë kohë.

Haradinaj kishte dalë i pafajshëm pas gjykimit.

Hashim Thaçi kishte mbetur opozitë konstruktive, siç tha, dhe kjo kishte ndodhur pasi që nuk ishin dëgjuar thirrjet e tij për t’u futur në qeveri, qoftë kjo me vetëm një ministri.

Pas dorëheqjes së Haradinajt, pozitën e tij e kishte marrë Bajram Kosumi, i cili gjithashtu kishte dhënë dorëheqje, pas zbulimit të skandalit me përdorimin e aeroplanit privat për kthim nga pushimet në Turqi.

E, postin e kryeministrit e kishte mbajtur edhe Agim Çeku deri në mbajtjen e zgjedhjeve në 2007.

Kosova këtë kohë do të zhvillonte bisedimet para statusit, të udhëhequra nga Ekipi i Unitetit, në krye të cilit ishte Ibrahim Rugova, i cili vdes në vitin 2006, e vendin e tij do ta merrte Fatmir Sejdiu.

Koalicioni 2007, PDK-ja merr meritat për shtetësinë

Pas vdekjes së Ibrahim Rugovës në janar të vitit 2006, LDK-ja ishte ndarë në dy pjesë, në Kuvendin që sot njihet si “Kuvendi i karrigeve”. Nexhat Daci e kishte marrë një pjesë të partisë duke formuar partinë e re, Lidhjen Demokratike të Dardanisë.

Me 34 deputetë në zgjedhjet e 2007-s, PDK-ja do të dilte e para dhe duke lënë prapa rivalin e saj të përhershëm LDK-në, e cila nuk do të mund të merrte më shumë se 28 deputetë. Kjo ishte fitorja e parë e PDK-së në zgjedhje dhe humbja e parë e LDK-së.

Megjithatë, Qeveria do të krijohej pikërisht ndërmjet dy partive të mëdha, me çka Hashim Thaçi ishte zgjedhur kryeministër i Kosovës.

Fatmir Sejdiu, atëherë president i Kosovës, thotë se kishte qenë i detyruar të nënshkruante koalicionin për shkak të procesit, në të cilin ndodhej Kosova para shpalljes së shtetësisë së saj, ani pse thotë të ketë qenë i vetëdijshëm që PDK-ja do t’i vidhte votat, në një proces që më vonë do të quhej si vjedhja industriale.

Ramush Tahiri thotë se koalicioni nuk ishte natyral. Sipas tij, PDK-ja gjithmonë ka zhvilluar ideologji për të marrë pushtetin duke e luftuar LDK-në.

Por, Sejdiu thotë se ka qenë edhe rekomandim i ndërkombëtarëve të ishin bashkë me PDK-në në atë kohë, edhe pse ai thotë se kishte insistuar në një përsëritje të koalicionit të 2001 – një përfshirje e të gjitha subjekteve.

Presidenti Sejdiu u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese e sapoformuar pasi që refuzoi të heqë dorë nga drejtimi me partinë, edhe pasi e mori postin e të parit të shtetit.

Sejdiu është i bindur se rrëzimi i tij u vulos edhe nga njerëzit e partisë së tij dhe ndërkombëtarët.

Opozita e asaj kohe ishte formuar nga AAK-ja me 13 deputetë, AKR-ja me 9 dhe LDD-ja me 9.

Ky koalicion do të lëkundet në nëntorin e 2009-s kur Hajredin Kuçi atë kohë zëvendëskryeministër, do të paralajmëronte përjashtimin e LDK-së nga koalicioni, nëpërmjet Zanzi Barit.

Por, tërheqja ndodhi shpejt e rrëzimi i Qeverisë ndodhi vetëm në nëntorin e 2010-s kur Thaçi do të kërkonte dhe realizonte rrëzimin e parë të Qeverisë së tij.

2010, 30 ditë president!

Në zgjedhjet e 2010-s, garës politike i hyri edhe një subjekt tjetër. Lëvizja Vetëvendosje, e cila vazhdimisht kishte bërë thirrje për bojkot të zgjedhjeve, kishte vendosur që të provohet edhe në Kuvendin e Kosovës.

Por, lëvizja e Kurtit që u regjistrua si parti pak orë para se të niste procesi zgjedhor, nuk kishte arritur të marrë më shumë se 13 vende.

Përsëri PDK-ja ishte që ajo që kishte dalë e para. E udhëhequr nga Hashim Thaçi, ajo mori dy mandate me pak së në 2007-n, 32 ulëse, derisa LDK-ja mori 29 ulëse.

PDK-ja në atë kohë kishte lidhur koalicion me Aleancën Kosova e Re që udhëhiqej nga Behgjet Pacolli, i cili pretendonte të bëhej president i Kosovës.

Pacolli do të votohej pas shumë presioneve, por shkarkimi i tij ishte ekspres për më pak së një muaj. Kushtetuesja do të rrëzonte për herën e dytë presidentin e Kosovës.

Këto koalicione po shihen se deformimi i garës demokratike, sepse konsiderohet se ua rrisin apetitet njerëzve me pak vota, që synojnë poste të mëdha, duke përfshirë atë të kreut të shtetit.

Thaçi e rrëzoi edhe Qeverinë e tij të dytë, duke e çuar vendin në zgjedhje në qershor të vitit 2014.

Koalicioni 2014, president Thaçi, me votat e LDK-së dhe VLAN-in

36 ulëse në Kuvend do t’i fitonte në vitin 2014 PDK-ja e udhëhequr nga Hashim Thaçi, duke shënuar rritje për 3 deputetë më shumë, e përcjellë nga LDK-ja me 33 ulëse, Vetëvendosja me 16, AAK-ja me 8 dhe Nisma me 6 të tilla.

Por, asnjë nga partitë jofituese nuk donin të bashkëqeverisnin me Hashim Thaçin e PDK-së.

LDK-ja, Vetëvendosja, AAK-ja dhe Nisma, ishin barrikaduar kundër PDK-së, që në skenën politike njihen si VLAN. E formuan një koalicion, ku ishin shumicë dhe provonin të krijonin Qeverinë me Ramush Haradinajn kandidat për kryeministër, e Isa Mustafën të zgjedhur për kryeparlamentar.

Mirëpo, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e kishte parë jo-kushtetues aktin e partive jofituese të zgjedhjeve dhe ua kishte pamundësuar atyre marrjen e drejtimit të Qeverisë.

Ngërçi politik i 2014-s, zgjati për 6 muaj, derisa LDK-ja kishte vendosur ta heqë “L”-në nga “VLAN”, duke e lënë vetëm si VAN.

Por, pavarësisht vendimit të Kushtetutës, opinionistët thonë se LDK-ja u thye dhe këtu ndikoi edhe mania e Ramush Haradinajt për t’u bërë kryeministër.

I qetë qëndroi deri në dhjetor të atij viti, Hashim Thaçi, i cili u aktivizua për t’i ofruar Isa Mustafës pozitën e kreut të Qeverisë. Me kushtin që LDK-ja ta votonte në vitin 2016 si president të Kosovës pas përfundimit të mandatit të Atifete Jahjagës.

Qeveria LDK-PDK ishte votuar në dhjetor të 2014-s, kur Isa Mustafa ishte votuar për kryeministër, e Hashim Thaçi fillimisht si zëvendës i tij e ministër i Jashtëm, derisa i erdhi koha për Presidencë.

Koalicioni ndërmjet PDK-së e LDK-së sërish u arsyetua me proceset e rëndësishme që pritej të kalonte Kosova.

Por, Isa Mustafa si kryeministër dështoi ta ratifikonte marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi dhe u ballafaqua në rrugë e Kuvend me opozitën e asaj kohe, që përbëhej nga Vetëvendosja, AAK-ja dhe Nisma.

Pak seanca arriti t’i mbante nga gazi lotsjellës i opozitës. Ani se qeverisja e tij mbijetoi për rreth 2 vjet e gjysmë, ai u rrëzua pikërisht nga PDK-ja, e cila e fajësoi se nuk po merrte vendime të mëdha, madje u etiketua edhe si “frikacak”.

Në maj të vitit 2017 u votua për rrëzimin e Qeverisë, e në qershor vend shkoi në zgjedhje. Përsëri të parakohshme.

Mushkolaj thekson se janë pikërisht unët individualë që kanë sjellë deri te prishja e këtyre koalicioneve, por pa e anashkaluar edhe insistimin e PDK-së për të qëndruar me çdo kusht në pushtet.

Koalicioni 2017 – Dështimi PAN+

Kadri Veseli u nominua për kryeministër dhe për herën e parë do të udhëhiqte PDK-në në zgjedhje pa Hashim Thaçin.

Pak orë para se të përfundonte procesi i regjistrimit të partive, ai hoqi dorë nga nominimi duke ia dorëzuar atë Ramush Haradinajt, pasi të gjitha partitë e dala nga lufta, u mblodhën në një koalicion që do ta quanin PAN, e të cilit iu bashkuan edhe 20 parti të vogla.

Për herë të parë dhe të vetme deri më tani ishin krijuar blloqe të mëdha të koalicioneve parazgjedhore.

Artan Murati e cilëson këtë si koalicionin më të panatyrshëm që ka ndodhur në Kosovë. Sipas tij, puna e vetme e tij ka qenë marrja e pushtetit dhe zhvatja.

Këtij koalicioni të madh, i kishte prirë një koalicion tjetër që ishte bërë disa orë më herët ndërmjet LDK-së, AKR-së dhe Alternativës.

Vetëvendosje kishte vendosur t’i hyjë garës e vetme.

PAN-i doli fitues, por me pamundësi ta bënte vetëm qeverinë, ngase as votat e minoriteteve nuk i ndihmuan. I duheshin edhe disa vota, e të cilat ia dha biznesmeni politikan Behxhet Pacolli, i cili bashkë me deputetët e tij dolën nga koalicioni me LDK-në dhe e mbështetën Ramush Haradinajn për kryeministër.

Kjo mbështetje i dha shpërblime të shumta Pacollit dhe partisë së tij, në mesin e të cilëve edhe ministrin e Brendshëm, që u propozua nga këngëtari Labinot Tahiri, i cili në fund të mandatit kaloi në AAK.

Qeverisja e PAN-it u përfshi në qindra skandale, rritje pagash për vete, punësime nepotike, korrupsion e harxhim të pakontrolluar të parasë publike.

Mushkolaj thotë se Haradinaj ishte vetëm kryeministër i vartësve të ardhur nga AAK-ja, por asnjëherë nuk pati autoritet mbi vartësit që vinin nga PDK-ja dhe Nisma.

Më 19 korrik 2019, Haradinaj dha dorëheqje pasi që ishte ftuar për t’u intervistuar nga Prokuroria Speciale e Dhomave të Specializuar.

Ndërsa, në gusht, deputetët votuan për shpërndarjen e legjislaturës së 6-të.

Koalicioni i mundshëm 2019, u pajtuam për t’u takuar!

Në zgjedhjet e 2019-s, partitë i hynë garës të vetme, pavarësisht se LDK-ja dhe Vetëvendosja kishin diskutuar me muaj për mundësinë e një koalicioni parazgjedhor, mirëpo nuk ishin pajtuar për postin e kandidatit për kryeministër. Vetëvendosje e donte Albin Kurtin, kandidat ndërsa LDK-ja, Vjosa Osmanin.

Dy partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike, fituan shumicën e votave të qytetarëve, derisa partia e Kurtit fitoi zgjedhjet e parakohshme me një diferencë të vogël votash me LDK-në.

Partia e tij mori 29 deputetë, duke i dhënë edhe mundësinë për të formuar Qeverinë e re të Kosovës, por të cilën nuk mund ta bëjë i vetëm.

PDK-ja e AAK-ja kanë mbetur mbrapa, në vendin e tretë, respektivisht në të katërtin.

Bisedimet e nisura për një koalicion të mundshëm ndërmjet Vetëvendosjes dhe LDK-së, që në ditën e parë pas zgjedhjeve, rezultuan të kota.

Kjo, pasi partnerët, të cilët edhe pse për më shumë se 80 ditë, e hartuan strategjinë për qeverisje, i zvogëluan edhe numrin e ministrive, por kur vendosën të ndahen postet, ngecën.

Kuvendi është konsistuar, por marrëveshje ende nuk ka.

Ish-presidenti Sejdiu e sheh emergjent krijimin e Qeverisë, pasi, sipas tij, Kosova ndodhet në fazën e tretë të ndjeshme pas bisedimeve për status dhe pavarësi.

Dështimi i bashkimit të opozitës së kaluar në një pozitë bashkëqeverisjeje, mund ta dërgojë vendin në zgjedhje të tjera të jashtëzakonshme.