Walker kërkon formimin sa më të shpejtë të Qeverisë së Kosovës

Ish shefi i OSBE-së në Kosovë, William Walker ka kërkuar sa më shpejt formimin e qeverisë mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike.

Walker pas takimit që pati sot me zyrtarë të Vetëvendosje tha se një shtet pa Qeveri është jo funksional dhe për këtë theksoi se duhet të formohet Qeveria për t’i dhënë perspektivë të rinjve, përcjell kp.

Një takim të ngjashëm Walker e ka pasur dje edhe me zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Reklama e sponzorizuar

Walker po qëndron në Kosovë në përvjetorin e 21-të të masakrës së Reçakut e cila ndodhi më 15 janar 1999.

Në atë kohë Walker në shefin e cilësisë së shefit të OSBE-së në Kosovë pati deklaruar se ajo që ka ndodhur në Reçak ishte krim kundër njerëzimit.

Edhe Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se ish-ambasadori i OSBE-së në Kosovë, William Walker ka shprehur interesimin për formimin sa më të shpejtë të qeverisë.

“Sot, Kryetari Albin Kurti së bashku me Nënkryetarin e Lëvizjes Besnik Bislimin priti në takim ambasadorin e mirënjohur, mikun e Kosovës, z. William Walker. Në prag të përvjetorit të 21-të të masakrës së Reçakut, u diskutua për rëndësinë e historisë në politikë, për përpjekjet nga Serbia për të mohuar krimet dhe për domosdoshmërinë e drejtësisë dhe zhdëmtimi për viktimat. Në këtë takim miqësor u diskutua edhe për situatën aktuale politike në vend, me theks të veçantë formimin e institucioneve të reja të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin për media të Vetëvendosjes.

“Të dyja palët shprehën interesim që qeveria duhet të formohet sa më shpejtë në mënyrë që edhe vullneti politik i qytetarëve për ndryshim, i shprehur me 6 tetor, të jetësohet sa më parë”, përfundon komunikata e VV-së.