30 ditë paraburgim për hetuesit e arrestuar të Policisë së Kosovës

30 ditë paraburgim është vendosur masa ndaj dy hetuesve policor dhe një rreshteri të Departamentit të për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit.

Lajmin e ka bërë të ditur për KALLXO.com avokati i hetuesit Lutfi Menxhiqi, Skender Musa.

“Po është marrë vendimi. 30 ditë paraburgim”, tha shkurt avokati.

Reklama e sponzorizuar

Gjatë ditë së sotme hetuesit policor Lavdim Osmani dhe Lutfi Menxhiqi si dhe një rreshter tjetër i Departamentit të Hetimit për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionit në Policinë e Kosovës kanë dalë para gjykatës për shkak të veprave penale keqpërdorim i detyrës zyrtare, marrje ryshfeti e armë mbajtje pa leje.

Hetuesit policor dhe rreshteri janë sjellë në Gjykatën Themelore të Prishtinës në pranga nga hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës.

Hetuesi Lavdim Osmani, Lutfi Menxhiqi dhe një rreshter i Krimeve Ekonomike do të përballen me sistemin e drejtësisë për shkak të veprave penale, keqpërdorim i detyrë zyrtare, marrje ryshfeti.

Lavdim Osmani u arrestua për marrje ryshfeti. Atij gjatë arrestimit iu gjetën 1,450 euro. Osmani ishte arrestuar në flagrancë.

I njëjti është familjar i drejtuesit të Departamentit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, Bashkim Spahiut.

Hetuesit të dytë, Lutfi Manxhiqit policia i ka gjetur një shumë prej 9 mijë eurove dhe dy Kallashnikovë gjatë një bastisjeje në shtëpinë e tij.

Gjatë ditës së djeshme Policia e Kosovës në një konferencë të jashtëzakonshme ka njoftuar se janë arrestuar edhe tre persona të tjerë.

Një Kryeinspektor në Agjencinë e Regjistrit Civil në MPB është arrestuar gjithashtu gjatë ditës së djeshme, një rreshter në Departamentin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit si dhe një afarist nga Kaçaniku.