Pse mbeti në arkivat e KEK-ut projekti atraktiv i rindërtimit të Kosovës B?

Të gjitha qeveritë e deritanishme, që nga dita e parë e pasluftës, dhe po kështu edhe pas shpalljes së pavarësisë janë dëshmuar të pazonja, të paafta dhe miope fare rreth zhvillimit të mëtejshëm të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe sistemit elektroenergjetik të vendit.

Mehmet GJATA

Të gjitha faktet, por edhe të dhëna të shumta të shpërfaqura nga ekspertë të njohur të zhvillimeve energjetike në Kosovë dëshmojnë se Kosova ka ngecje të pakuptueshme në zhvillimin e sektorit energjetik deri në përmasat e humbjes së pavarësisë energjetike për shkak të keqmenaxhimit, për shkak të mungesës së politikave largpamëse dhe involvimit të drejtpërdrejt të politikës në ecuritë e sektorit energjetik.

Reklama e sponzorizuar

Të gjitha qeveritë e deritanishme, që nga dita e parë e pasluftës, dhe po kështu edhe pas shpalljes së pavarësisë janë dëshmuar të pazonja, të paafta dhe miope fare rreth zhvillimit të mëtejshëm të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK-ut) dhe sistemit elektroenergjetik të vendit. Nuk është investuar në zhvillimin e KEK-ut, në ngritjen e kapaciteteve të reja gjeneruese, edhe pse është ditur qartë se nëse nuk bëhet diçka në ndryshimin e gjendjes për të mirë, ditët e ngrysura për elektroenergjetikën e Kosovës janë shumë afër. Dhe prapë, qeveri pas qeverie, kanë vazhduar me avazin e autoriteteve pararendëse, kanë premtuar shumë dhe kanë promovuar vetëm vizione, të mira, por edhe të këqija, por pa ndërmarrjen e asnjë hapi për të ndërtuar diçka, ndonjë kapacitet gjenerues, ndonjë rindërtim të termocentraleve ekzistuese.

Dhe, nuk është se nuk u azhurua dhe se nuk u ngrit alarmi nga ekspertë të KEK-ut për domosdonë e ngutisë dhe urgjencës për të bërë diçka në sektorin energjetik të Kosovës. Hiç idetë e shumta për nevojën e ndërtimit të një kapaciteti të ri energjetik në bazë të qymyrit (një termocentral të ri) dhe me kapacitet, më shumë sipas dëshirave të qeverisë dhe qeveritarëve për t’u bërë protagonistë për diçka në kohën që ishte shpërfaqur ideja për nevojën e ndërtimit të një termocentrali (herë 500 megavatësh, herë 600, 1200 deri në 2100 megavatë), pati nga ekspertë të dëshmuar të KEK-ut iniciativa më konkrete për të krijuar mundësi për të pasur më shumë energji elektrike nga termocentralet tona, për t’ua zgjatur jetën termocentraleve Kosova B, edhe për dy-tre dekada dhe për ta ngritur në nivel të standardeve ndërkombëtare mbrojtjen e ambientit nga tymtarët e termocentraleve ekzistuese.

Më 2014, praktikisht, ideja për të rindërtuar Kosovën B, të dy blloqet e saj, u vijëzua, u vendos në letër dhe nga inxhinierët dhe njohësit e mirë të rrethanave në KEK, u përkrah, thuaja unanimisht dhe me entuziazëm. Kosova e kishte mundësinë me shumë më pak mjete investive ta ketë një projekt tjetërfare, në këtë rast termocentralet Kosova B, të rindërtuara dhe me elektrofiltra modern të ruajtjes së ambientit nga ndotja e tymrave, hirit dhe gazrave që ‘vjellin’ tymtarët e termocentralit Kosova B. Më 2017 u përfundua edhe projekti i fizibilitetit për rindërtimin e Kosovës B pas një studimi të detajuar, pjesë për pjesë, u parapa kostoja që do të duhej të investohej në Kosovën B, për ta bërë tërësisht të re dhe në harmoni me standardet e BE-së rreth mbrojtjes së ambientit.

Sipas këtij projekti (ekziston projekti në arkivat e KEK-ut, sot e kësaj dite) rindërtimi i sistemit të mbrojtjes së ambientit, instalimi i elektrofiltrave modern, fjalë e fundit e teknologjisë, në të dy blloqet do të kushtonte diku rreth 145 milionë euro, ndërsa modernizimi i tërësishëm i dy turbinave (B1 dhe B2) llogaritej të kushtonnte 150 e sa milionë euro. Gjithsej ky projekt ka pasur koston prej 309 milionë euro, që është shumë, shumë kosto më e ulët se sa projektet për ndërtimin e kapaciteteve të reja.

Me rindërtimin e Kosovës B, natyrisht do të shtohej edhe kapaciteti prodhues i të dy blloqeve, ose secili bllok do të prodhonte diku rreth 30-40 megavatë- më shumë. Nuk pati zëra as nga ekspertët, as nga inxhinierë të shumtë të KEK-ut që kundërshtuan këtë projekt. Meqenëse u përkrah thuaja unanimisht brenda për brenda KEK-ut dhe meqenëse nuk pati ndonjë kundërshtim të bërë publik nga autoritetet, praktikisht pritej të bëhen të gjitha përgatitjet dhe më 2019 të fillojnë punët për ta jetësuar projektin e rindërtimit të Kosovës B. Ishte paraparë që të gjitha punët të përfundojnë brenda dy vjetësh. Dhe erdhi 2019-ta dhe pa ndonjë sqarim as për iniciatorët e projektit në KEK, as për opinionin, projekti premtues dhe i realizueshëm lehtësisht edhe financiarisht, u heshtë, sikur mos të ekzistonte. Në këtë mënyrë, Kosova mbeti pa asnjë kapacitet as të ri, as të rindërtuar elektroenergjetik në bazë të qymyrit, të cilin e kemi me rezerva të pashterrshme, e kemi thuaja në sipërfaqe të tokës dhe e kemi të gjithë infrastrukturën e nevojshme për eksploatimin e tij. Mbeti e varur në përmasa të dhimbshme nga importi, mbeti në mëshirën e kompanive të jashtme private të distribuimit dhe të furnizimit të konsumit me rrymë dhe mbeti e vërshuar nga thirrjet për domosdonë e kursimit të rrymës.

Ndërkohë, sa i përket synimeve dhe vizioneve zhvillimore të sektorit energjetik të vendit, as qeveria Kurti 2, thuaja se, sikundër edhe të gjitha qeveritë pararendëse, nuk bëri asgjë. Nuk bëri thuaja asnjë hap për sigurinë energjetike, edhe pse do duhej të ishte koshiente se në çështjen edhe të sigurisë kombëtare, pavarësia energjetike është shumë e rëndësishme, sikundër që është e rënëdësishme në krijimin e shtetit stabil.

Qeveria aktuale, dhe ministrja e sektorit energjetik (ministrja e Ekonomisë), Artane Rizvanolli, thjeshtë nuk u dëshmua as në momente të krizave energjetike, as në momentume më të qeta, kur importi ishte më i përballueshëm si rrjedhojë e çmimeve më të ulëta të energjisë në tregjet ndërkombëtare. Herë shpallte si përparësi mbi përparësitë zhvillimin elektroenergjetik të Kosovës në bazë të burimeve të energjisë së rinovueshme, herë efiçienca e energjisë ishte top prioritet i shpallur i Qeverisë Kurti 2. Herë deklaronte se “burimet e ripërtritshme të energjisë, janë burime që e sigurojnë pavarësinë energjetike, po ashtu dhe mbrojnë ambientin”, herë potenconte “për një kapërcim edhe cilësor në kuptim të burimeve që do të përdoren, teknologjive inovative por edhe sasiore në kuptim të sasisë së kapaciteteve të reja që po shtohen”. Por, edhe pse ndodhemi në vitin 2025, kur fillimisht parashihej të ketë qindra megavatë të prodhuar nga kapacitetet e energjisë së rinovueshme (të erës dhe asaj solare), Kosova pos parkut të energjisë me erë në Shalë të Bajgorës, të ndërtuar nga investitor të jashtëm disa vite më parë, sot e kësaj ditë nuk ka akoma asnjë kapacitet të ri të ndërtuar elektroenergjetik. Tani jemi krejtësisht të varur nga prodhimi i termocentraleve të stërvjetruara (dy blloqe të Kosovës B dhe A3, A4 dhe A5 të Kosovës A, dhe në çdo rast të avarive të papritura në njërën nga këto njësi prodhuese, do të jemi të varur domosdo nga importi.

Ministrja Rizvanolli, së fundi, më saktësisht në fund të marsit dhe në fillim të prillit, kur Kosova u ballafaqua me një krizë goxha serioze elektroenergjetike, për shkak të rënies së B2-shit për shkaqe të rrjedhjes së ujit në kaldajë dhe B1-shit jashtë funksionit për shkak të riparimit të planifikuar një mujor, u kujtua të “paralajmëroi” investime në Kosovën B, por pa specifikuar afate dhe as shumë konkrete mjetesh për të investuar në këtë termocentral. Gjithsesi, do të ishte mirë, që ky premtim më në fund të përmbushej, edhe për domosdonë e urgjencës për të pasur vendi energji të bollshme elektrike. Në të kundërtën, nëse Kosovës i ka mbetur e vetmja rrugë e tejkalimit të krizës elektroenergjetike energjia alternative, e diellit dhe e erës, ta ndërtojë ndonjë impiantë të energjisë alternative dhe jo veç të premtojë dhe veç të promovojë ide dhe vizione të mira. /Buletini Ekonomik/