Policia e Kosovës ka arrestuar sot dy persona nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrja e ryshfetit.
Arrestimi i tyre erdhi pasi që Njësiti Rajonal për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (NJRHKEK) – Prishtinë ka pranuar informatë në bazë të cilës dyshohej se dy inspektorë tatimor të ATK-së gjatë inspektimit të rregullt në një biznes në Fushë Kosovë, kanë hasur në disa parregullsi dhe me qëllim që të mos e ndëshkojnë pronarin, nga i njëjti kishin kërkuar dhe marrë ryshfet në vlerë 50 euro.
Pas pranimit të informatës, janë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore ku dhe janë siguruar provat e rastit, si monedha në vlerë prej 50 euro, e cila ishte në pronësi të njërit nga personat e dyshuar.
Të dyshuarit janë shoqëruar në zyrat e NJHRKEK – Prishtinë, të cilët janë intervistuar në cilësinë e personave të dyshuar në prezencën e avokatëve mbrojtës, dhe pas konsultimit me prokurorin kujdestar u është shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë.