Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), ka njoftuar se bankat raportuan për përmirësim të qasjes në financim të bankave në Kosovë gjatë tremujorit të tretë të vitit 2019.
“Duke marrë parasysh modelin tradicional të sektorit bankar në Kosovë, financimi vazhdoi të dominohet nga depozitat e ekonomive familjare dhe të ndërmarrjeve. Për më tepër, rezultatet e anketës tregojnë që financimi i bankave sipas maturitetit dominohet nga financimi afatshkurtër”, thuhet në rezultatet e Anketës së Kreditimit Bankar dhe Pritjeve për inflacionin.
Nga këto rezultate del që depozitat, si burim kryesor i financimit për sektorin bankar, vazhdojnë të dominohen nga ato me maturitet më të shkurtër.
“Për tremujorin e ardhshëm, bankat presin rritje të qasjes në financim, megjithëse në intensitet më të ulët. Financimi përmes depozitave të ekonomive familjare do të përmirësohet më tutje, ndërsa financimi nga ana e depozitave të ndërmarrjeve pritet të ketë rënie në krahasim me tremujorin paraprak. Për dallim nga tremujori i tretë 2019, financimi nga institucionet financiare ndërkombëtare pritet të rrisë mbështetjen për financimin e aktiviteteve të sektorit bankar në vend”, raporton RTKlive.
Sa i përket pritjeve për financim sipas periudhës së maturimit, bankat presin ecuri të ndryshme në krahasim me TM3 2019.
“Në tremujorin vijues anketat sinjalizojnë pritjet për rritjen e financimit afatgjatë, përderisa financimi afatshkurtër pritet të jetë dukshëm më i ulët”, thuhet në rezultatet e Anketës së Kreditimit Bankar dhe Pritjeve për inflacionin.