Opozita kundërshton planin e Kurtit për largimin e taksës

Partitë opozitare në Kosovë po kundërshtojnë planin e djeshëm të kryeministrit, Albin Kurtit, për të larguar gradualisht taksën 100 për qind ndaj Serbisë dhe Bosnjës. Ato thonë se Qeveria nuk ka pse të ngutet për të larguar fillimisht taksën për lëndën e parë të importuar nga Serbia, por duhet të jetë më e vëmendshme. Sipas tyre, pa u larguar arsyet që shtynë drejt vendosjes së taksës, nuk duhet të largohet ajo.

Në partinë e ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj, u shprehën të ashpër në qëndrime. Deputeti, Pal Lekaj tha se AAK-ja është e vendosur për të kundërshtuar largimin e taksës.

Sipas tij, pa pasur një kornizë të marrëveshjes dhe një njohje reciproke nuk duhet që të mendohet largimi.

Reklama e sponzorizuar

Lekaj tha se janë bërë dy marrëveshje ndërsa taksa ka qenë aktive.

“Nuk kemi pse të ngutemi, Qeveria e Kosovës duhet të jetë e vëmendshme. Pse me largu taksën që të ulemi në tavolinë, mendoj që është monedha e vetme këmbyese për njohje reciproke. Ne kemi pa dhe kemi praktik të mirë se janë bërë dy marrëveshje pa e larguar taksën. Kjo është një argument i fuqishëm që tregon se nuk kemi pse ngutemi. Prandaj e lusim Qeverinë Kurti, qeverinë e Kosovës që të punojë në interes të Kosovës. Në interes të prodhuesve dhe fuqizimin e shtetit të Kosovës. AAK-ja është e rreshtuar që në asnjë mënyrë mos të largohet taksa pa pasur një kornizë të marrëveshjes dhe një njohje reciproke”, thotë ai.

I njëjtë në qëndrime është shprehur edhe deputeti i Nisma Socialdemokrate, Endrit Shala, i cili thotë se do të kundërshtojnë një vendim që largon taksën ndaj Serbisë.

“Unë mendoj që kjo masë nuk duhet të hiqet përderisa nuk eliminohen arsyet të cilat na kanë detyruar që të marrim një masë të tillë. Qëndrimi i GP të Nismës tash si deputet, është që përderisa nuk eliminohen arsyet, të cilat e kanë detyruar atëherë qeverinë e Kosovës të marrë një vendim të tillë, kjo masë do të vazhdojë të mbetet në fuqi”, thotë ai.

Ndërsa, deputeti i PDK-së, Bedri Hamza, thotë pavarësisht të gjithave interesi i vendit është që të ruhet partneriteti me SHBA-në dhe BE-në.

“Interesi i vendit është me u ruajt partneriteti me SHBA-të, BE-në dhe partnerët tjerë. Në këtë kontekst ne duhet t’i gjejmë ekuilibrat se cili është interesi i vendit . Mos të shikojmë çka fitojmë prej diçka, e çka humbim prej diçka por pikturën e përgjithshme. Mbi bazën e analizave shumë të sakta, korrekte politike dhe shtetërorë të veprojmë”, thotë ai.

Në lidhje me këtë, hulumtuesja në KDI, Jeta Krasniqi thotë se Qeveria e Kosovës çfarëdo vendimi që e merr duhet të analizojë mirë.

“Presioni duket që është duke u shtuar nga partnerët ndërkombëtarë. Por ajo çka neve na mbetët të kërkojmë si shoqëri civile nga institucionet e Kosovës është se çfarëdo lloj veprimi që ata do të ndërmarrin të jetë një veprim që edhe më shumë forcon shtetin e Kosovës, që mbron interesat e Kosovës dhe që janë veprime të mirë menduara dhe kanë një strategji të mirëfilltë të zbatimit të tyre. Në çdo moment të vendosin Kosovën në një pozitë sa më të fortë ndaj Serbisë”, u shpreh Krasniqi. /KosovaPress/