Pacolli me qëndrim ndryshe nga Limaj: AKR e voton Qeverinë Kurti

Kreu i AKR’së, Behgjet Pacolli, ka thënë se partia e tij do të votojë pro formimit të Qeverisë Kurti.

Ai ka thënë se nuk mund të veprojë ndryshe dhe “do të vazhdoj të mbetem konstruktiv”.

Reklama e sponzorizuar

“Sot do të ketë ndarje. Është propozuar oferta për kryeministër. Dua të besoj në këtë ofertë. Dua të besoj në çdo fjalë që e thatë sot. Nëse njeriu angazhohet shpirtërisht, çdo gjë është e arritshme, por ka një parakusht. Atë që do ta bësh duhet ta duash. Unë besoj se ju e doni këtë. Ne si AKR gjithmonë kemi qenë konstruktiv. Ende s’janë mbyllur proceset themelore të shtetit tonë. Kam qenë i kritikuar pse kam votuar çdo qeveri. Nuk mund të bëj ndryshim, s’mund të ndërrohem as sot dhe dua të mbetem ashtu, i natyrshëm, si gjithmonë. Ne si AKR kemi qenë konstruktivë, prapë do të jemi. Duhet pajtim, urti, energji pozitive, jo urrejtje. Ne s’do ta bëjmë atë që keni bërë ju. Unë dhe njerëzit e mi s’do ta lëshojnë asnjëherë sallën. Dua t’u them se do t’u votoj juve. Të shohim nga e ardhmja”, ka thënë ai.

AKR-ja ka dy deputetë në Kuvendin e Kosovës. Megjithatë ndryshe nga AKR, partneri i koalicionit NISMA nuk do ta votojë Kurtin për kryeministër.