Zëvendëskryeministri i parë, Avdullah Hoti, e ka bërë sërish të qartë që taksa ndaj mallrave serbe do të hiqet shumë shpejt, pasi që sipas tij, kjo është kërkesë e miqve ndërkombëtarë, shkruan gazteablic.
Mirëpo, në një intervistë dhënë emisionit “Blic Interview”, ai nuk është shprehur shumë i sigurt që do të vendoset reciprociteti ndaj Serbisë, ashtu siç parashihet në programin qeverisës mes LDK-së dhe LVV-së. Hoti tha se vendosja e reciprocitetit duhet të bëhet në konsultë dhe me leje të faktorëve ndërkombëtarë, me theks të veçantë SHBA-së dhe Gjermanisë.
Madje, ai thotë se Kosova nuk duhet të bëjë asnjë veprim që do të mund të ishte në kundërshtim me kërkesat ndërkombëtare.
Tashmë dihet që ambasadori Richard Grenell, i cili është i dërguar special i presidentit amerikan, Donald Trump për çështjet e Ballkanit Perëndimor, është shprehur hapur ditë më parë që SHBA kërkon heqjen e taksës dhe nuk dëshiron që të vendoset reciprociteti. Madje, një diskutim të tillë është raportuar se e kanë pasur sonte kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ku i pari është shprehur se do të vendoset reciprociteti, teksa i dyti ka thënë se kjo është fyerje për Serbinë.