Thaçi i përgjigjet tërthorazi Kurtit për marrëveshjen sekrete me NATO-në

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi i cili është duke qëndruar për një vizitë zyrtare në Shtëpinë e Bardhë, i është përgjigjur kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit për zbulimin e marrëveshjes së tij sekrete me NATO-në, që e ka bërë gjatë kohës kur ishte kryeministër i Kosovës.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Thaçi ka thënë Kosova tashmë ka ushtrinë e vet dhe me standarde të NATO-së, raporton Gazeta Insajderi.

Zëvendëssekretarin e Mbrojtjes, David Norquist, sot e falënderova për mbështetjen e SHBA-së për themelimin e ushtrisë së Kosovës. Kosova tashmë e ka ushtrinë e vet profesionale dhe me standarde të NATO-s, që është e gatshme gjithmonë të përfshihet në misionet humanitare e paqeruajtëse në botë, krah për krah me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar Thaçi.

Reklama e sponzorizuar

Tutje presidenti i vendit ka thënë se është vitale që Kosova të jetë pjesë e NATO-së.

“Ne ndamë bindjen e njëjtë se është vitale për sigurinë në Evropën Juglindore që Kosova të jetë sa më shpejtë anëtare e NATO-s”, ka përfunduar Thaçi.