Bislimi: Kufizimi i lëvizjes të respektohet edhe nga përfituesit e ndihmës sociale

Ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, ka thënë se kufizimi i lëvizjes duhet të respektohet edhe nga përfituesit e ndihmës sociale dhe të mos krijojnë tollovi në sportelet e bankave.

Ai për emisionin “Sot” shtoi se vendimi për kufizim është në mënyrë që të parandalohet koronavirusi dhe se patjetër duhet respektuar ky vendim pasi është rekomandim i IKSHP-së dhe në këtë situatë kjo është më e rëndësishmja.

“Vendimet nuk janë marrë me perspektivë ekonomike dhe as nga Ministria e Financave, por janë marrë nga komisioni ndërministror, që është brenda Ministrisë së Shëndetësisë dhe me rekomandim të IKSHP. Masa nuk ka të bëjë me alokimin e ndihmave sociale por me parandalimin e përhapjes së infeksionit me virusin korona, edhe ne jemi të detyruar ta respektojmë këtë vendim sepse nuk ka institucion që nuk është më i thirrur për me dhënë rekomandime të duhura siç është IKSHP”, tha Bislimi.

Reklama e sponzorizuar

“Nga ora 10:00-16:00 ka kufizim të lëvizjes por pjesa tjetër është e hapur, pastaj mikromenaxhimi në nivel të postave apo bankave duhet t’iu lihet atyre, ata duhet të gjejnë mekanizimin me të mirë të marrjes se ndihmës sociale në mënyrë që të mos ketë tollovi dhe të mos ketë mosrespektim të kufizimit të lëvizjes apo distancës fizike mes personave që janë në linjës të pritjes”, shtoi ai.

“Ajo që kemi bërë bashkë me alokimin e ndihmës ka qenë që ndihmat të mos jepen brenda ditës së njëjte, në mënyrë që të ketë sa më pak turma para sportelit të bankës’, tha Bislimi.