PBB globale në vitin 2020 do të rritet 2,4%, në rënie të ndjeshme krahasuar me 2,9% në vitin 2019. Këto janë vlerësimet e përditësuara të OECD, Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik.
Ngadalësimi i atribuohet efekteve në ciklin ekonomik dhe do të vijojë në muajt e ardhshëm për shkak të përhapjes në planet të virusit Covid-19, për të cilin ende nuk është gjetur vaksina. Përditësimet e orëve të fundit tregojnë se situata është më komplekse se sa u shfaq në javën e kaluar.
Duke analizuar situatën, ekonomistët, politikanët dhe bankierët qendrorë po marrin masa drastike që nuk mbahen mend në Perëndim, që nga kohërat e Luftërave Botërore. Është e qartë se sa më shumë kohë kalon, pasojat ekonomike do të rriten. Vlerësimet po përkeqësohen me kalimin e javëve dhe me përditësimin e numrit të të prekurve.
Mjaft të mendojnë që më 4 shkurt, Goldman Sachs supozoi një rritje të PBB globale me 3,25% (me një rënie 0,3% krahasuar me pritshmëritë e mëparshme). Ndërkohë siç shihet, në fillim të marsit, OECD është më drastike, duke e bërë të qartë se do të jetë shumë nëse PBB do të rritet me 2 pikë.
Disa vende do t’i ndiejnë më shumë se të tjerat pasojat. Këtu bëjnë pjesë ato vende ku turizmi zë një pjesë të rëndësishme në ekonominë e tyre. Ndër më të goditurit në këtë klasifikim të veçantë sipas “World Travel and Tourism Council” do të jenë Filipinet (një e katërta e PBB vjen nga sektori i turizmit) dhe Tajlanda (ndikimi i turizmit në PBB është 21,6%).
Në vend të tretë, Greqia (20,6%) ndjekur nga Portugalia (19,1%). Edhe Italia, e cila renditet në vend të dhjetë do të paguajë një faturë të kripur, duke qenë se “varësia” e saj nga turizmi në rritjen e përgjithshme është më e lartë se 13%.