Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, ka marrë vendimin që të ndërprehet qarkullimi i autobusëve në krejt Kosovën. Këtë sot e bëri të ditur kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ku edhe theksoi se MPBAP-ja njuk është konsultuar për këtë vendim.
Për ndërprerjen e qarkullimit të autobusëve ka lajmëruar pëmes Facebook-ut edhe Trafiku Urban.
“Njoftohen qytetarët se me Vendim nga Qeveria e Republikës së Kosovës është pezulluar transporti publik, nga sot datë 31.03.2020, në të gjitha komunat e Kosovës deri në një vendim tjetër nga institucionet e vendit”, theksohet në njoftimin e Trafikut Urban.
Ndërkohë, i pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, sot ka reaguar ndaj këtij vendimi të MPBAP-së.
Ahmeti ka shkruar në Facebook, se MPBAP-ja ka marrë vendim duke mos u konsultuar as me Komunën e Prishtinës e as me komunat tjera.
“Sapo pranova vendimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme për ndërprerjen e Transportit Publik në krejt Republikën e Kosovës, menjëherë. Përderisa kemi qenë përkrahës kryesorë të masave restriktive, dhe po ashtu kemi mbështetur secilin vendim të nivelit qendror, ky vendim është marrë pa asnjë konsultim, as edhe 30 sekondësh me Komunën e Prishtinës e as me komunat tjera”, ka shkruar Ahmeti.
Ahmeti thotë se përveç kostos, ky vendim ka ndikim edhe në qarkullimin e njerëzve të cilët nuk kanë mundësi tjetër udhëtimi.
“Ky vendim përveç kostos, ka ndikim në qarkullimin e njerëzve që nuk kanë mundësi tjetër, duke ditur që në Prishtinë ende funksionojnë institucionet publike, institucionet shëndetësore e edhe disa kompani. Ndoshta ky vendim do të ishte i domosdoshëm, por ndërprerja e menjëhershme pa kurfarë mundësie që të planifikojmë më mirë edhe si logjistikë edhe si kosto nuk ka nevojë të bëhet”, shkruan Ahmeti.
Kreu i Prishtinës thekson se koordinimi me të gjitha institucionet në këtë kohë është i domosdoshëm.
“Koordinimi me krejt institucionet është i domosdoshëm. Jemi të gjithë ushtarë në një betejë. P.S. besoj që Qeveria do të shtojë edhe disa miliona subvencione për kompanitë e transportit publik në krejt Kosovën”, ka shkruar Ahmeti.