Edhe tri raste të reja janë konfirmuar me koronavirus në Kosovë, kjo ka çuar numrin e të infektuarve në 97. Këtë e ka bërë të ditur IKSHPK përmes një njoftimi për media.
“Sot më 29.03.2020 në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar 45 mostra të marra nga rastet në terren dhe nga rastet e hospitalizuara në Klinikën Infektive. Nga mostrat e marra për testim në virusin SARS-CoV-2, tre prej tyre kanë rezultuar pozitive”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, rastet pozitive janë raste kontakti, dy prej të cilave me vendbanim në Prishtinë dhe një me vendbanim në fshatin Kijevë-Malishevë.
IKSHPK njofton se nga data 8 shkurt deri sot, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 1.082 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2.
“Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke iu obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome. Deri më sot janë kontaktuar dhe janë nën mbikëqyrje 2.080 kontakte të rasteve”, thuhet tutje në njoftim.
Ndërkohë që edhe tri raste janë konfirmuar me koronavirus në komunat serbe, ndërkaq IKSHPK nuk i ka të regjistruara.