Inspektohen mullinjtë në Lipjan pas dyshimeve për manipulim me peshore

Inspektorati i Komunës së Lipjanit së bashku me inspektorë nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë kanë inspektuar mullinjtë në komunën e Lipjanit, pas dyshimeve të disa qytetarëve për manipulim me peshore.

Ndërkaq sipas raporteve dhe deklaratave të Inspektoratit në Komunën e Lipjanit të gjithë mullinjtë po i përmbahen kritereve, andaj sipas tyre nuk ka hapësirë për shqetësime.

Imer Rrustemi drejtor i Inspektoratit në Komunën e Lipjanit ka thënë se “Së bashku me inspektorët e MTI-së, kemi inspektuar mullinjtë dhe peshoret e tyre. Deri tani gjithçka është në rregull dhe asnjë thes i miellit nuk ka peshuar më pak se 25 kilogramë. Pra, rreth kësaj çështjeje nuk ka hapësirë për t’u shqetësuar askush”, ka thënë Rrustemi.

Reklama e sponzorizuar

Në anën tjetër Xhelal Jashari, pronar i mullinjve “Qali” në Lipjan ka deklaruar se në asnjë rast thesi i miellit nuk mund të peshojë më pak se 25 kilogramë. Ai ka shtuar se kjo është vërtetuar edhe nga Inspektorati nga niveli lokal dhe ai qendror. Jashari ka vazhduar se aktualisht kanë kapacitete të mjaftueshme për t’i furnizuar qytetarët dhe fermerët me miell, mirëpo përkohësisht e kanë ndërprerë shitjen e miellit me para të gatshme, për shkak se disa qytetarë po e keqpërdorin situatën e virusit COVID-19 për të bërë tregti.

“Disa njerëz të pandërgjegjshëm janë furnizuar me miell nga ne, ndërkohë kanë bërë tregti duke e shitur 15 euro një thes me miell. Ndërkohë, të njëjtit persona që kanë provuar për herë të dytë dhe të tretë të marrin miell, ne ua kemi ndaluar sepse ne do t’i furnizojmë vetëm ato familje nevojtare por jo për të bërë tregti individët e caktuar me miellin tonë”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, kanë qenë inspektorët e tregut nga Ministria dhe nga Lipjani të cilët e kanë vërtetuar se gjithçka punohet me standarde evropiane duke u nisur nga pastërtia, cilësia etj.

“U kam thënë inspektorëve merre cilindo thes për ta vërtetuar e kontrolluar sepse të gjithë janë të mbushur mbi 25 kilogramë”, ka thënë Jashari.

Ai shpjegon se vargjet e gjata të automjeteve me kilometra që presin në radhë për të marrë miell e dëshmon seriozitetin dhe kualitetin e biznesit.