Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kërkuar dorëheqjen e ministrit të Integrimit Evropian, Blerim Reka.
Kjo pasi, ky i fundit në një emision televiziv ka thënë se në kuadër të marrëveshjes finale me Serbinë, asaj mund t’i jepet korridori transit për dalje në detin Adriatik përmes Kosovës.
Haradinaj ka shkruar në Facebook se ofertimi i heqjes së taksës 100% nga Qeveria Kurti pa kontratën finale për njohje reciproke në kufijtë ekzistues, po prodhon pasojat e para.
“Ministri i Integrimeve Europiane Z. Reka paska propozuar kompromisin me Serbinë e që është dhënia e korridorit të tranzitit për në Adriatik apo kthimi i Kosovës në Serbi dhe hapja e rrugës që Serbia të futet edhe në Shqipëri. Kjo ofertë e dytë shkatërruese i mundëson Serbisë që të futet në shqiptari dhe të realizojë ëndrrën e tyre shekullore për të pushtuar tokat e arbërit”, ka shkruar ai.
Ai tutje ka thënë se Reka duhet menjëherë të japë dorëheqje, para se t’i kërkohet ajo, transmeton KOHA.
“Këto deklarata dhe sjellje të rrezikshme politike të Qeverisë së Mashtrimit, njëherë me heqje të taksës e tash me ofertën e qasjes në Adriatik, prodhojnë pasoja të nënshtrimit dhe kapitullimit politik”, ka thënë ai.
Këtë deklaratë të Rekës si shqetësuese dhe të rrezikshme po e sheh edhe Partia Demokratike e Kosovës.
PDK përmes një komunikate për media ka thënë se me këtë ide do t’i bëhej favor i jashtëzakonshëm Serbisë, derisa do t’i rrezikohej ekzistenca shtetit të Kosovës.
“Si kompromis për marrëveshjen përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, Ministri i Vetëvendosjes ka propozuar që Serbisë t’i hapet korridori për daljen në Detin Adriatik. Kjo ide e Ministrit të Vetëvendosjes është rehabilitim i të gjitha përpjekjeve historike serbe, që nga Naçertanje, luftërat ballkanike, projektet e Nikola Pashiqit, Jovan Cvijiqit, e Ivo Andriçit, për ta zhbërë jo vetëm Kosovën, por edhe shtetin shqiptar”, thuhet në reagimin e PDK-së.
Sipas tyre, ideologu serbomadh Cvijiq, duke dashur ta arsyetonte aneksimin e Shqipërisë së Veriut dhe daljen në Detin Adriatik, e kishte quajtur këtë hap si interes ekonomik dhe domosdoshmëri anti-etnografike.
“Me një fjalë, atë që nuk kanë mundur ta bëjnë ideologët serbo-mëdhenj, që ishte përpjekje shekullore serbe për të dalë në Detin Adriatik, po mundohet ta realizojë një parti e vetëquajtur nacionaliste – Vetëvendosje”, thotë PDK.
Ata e kanë quajtur propozim anti-kombëtar.
“I rrezikshëm në përmbajtje për kombin shqiptar, mohues për shtetin e Kosovës dhe nxitës i realizimit të aspiratave historike serbe për krijimin e Serbisë së Madhe, me qasje në Detin Adriatik. PDK nuk do ta lejojë asnjë ide që cenon shtetin dhe sovranitetin e Kosovës. Kryeministri Kurti duhet urgjentisht të reagojë me shkarkimin e menjëhershëm të Ministrit Blerim Reka dhe të distancohet nga një qëndrim i tillë anti-kombëtar”, thuhet në komunikatën e PDK-së.
Koha ka provuar të marrë një përgjigje nga ministri Reka, por kontakti me të nuk ka qenë i mundur.
Reka në emisionin “Jeta në Kosovë” duke folur për arritjen e marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi, ka thënë se në vend të asaj që po flitet për dhënie të territorit të Kosovës, mund t’i japin Serbisë korridorin transit për dalje në detin Adriatik përmes Kosovës.
“Në vend të kësaj që po flitet apo po kualifikohet se kinse duhet dhënë territor Serbisë, unë kam një ofertë tjetër. Ne mund t’ia japim korridorin transit Serbisë për dalje në detin Adriatik, përmes Kosovës, përmes autostradës së Kosovës, në Durrës, më dukët që është një kompromis fer për Serbinë, por nuk mund tani të tregtojmë ulësen në OKB për pjesë të territorit të Kosovës që është tepër shumë. Serbia pas prishjes së marrëdhënieve me Malin e Zi e ka të pamundur daljen në portin e Tivarit. Me anëtarësimin Maqedonisë në NATO do të jetë po aq e vështirë dalja në Selanik”, ka thënë ai.