Bordi i ri i Ujësjellësit të Prishtinës i emëruar nga Kurti, shkarkon Kapllan Parduzin

Ka pak ditë që Kapllan Parduzi, është emëruar ushtrues detyre i kryeshefit ekzekutiv të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, shkruan GazetaBlic.

Pas dorëheqjes së ish-kryeshefit të kësaj ndërrmarje, Ilir Abdullahut, Bordi i Drejtorëve në pozitën e Ushtruesit të Detyrës së kryeshefit ekzekutiv kishte emëruar Kapllan Parduzin , deri në përfundimin e procedurave ligjore për përzgjedhjen e Kryeshefit Ekzekutiv, sipas Ligjit Mbi Ndërmarrjet Publike nëpërmjet një konkursi transparent.

Por ende pa u bërë një muaj prej emërimit të tij, Gazeta Blic nga burimet e saj mëson se bordi i ri i kësaj ndërmarrje, i emërur para pak ditësh nga qeveria e Kosovës, ka shkarkuar u.d të kryeshefit të KRU.Prishtina, Kapllan Parduzin.

Reklama e sponzorizuar

Gazeta Blic ka kontaktuar edhe me zëdhënësen për informim të “KRU Prishtina”, Arjeta Mjekun, për të konfirmuar lajmin, por e njejta ka thënë se nuk ka informacione.

“Nuk kam informacione që është shkarkuar dikush, jam duke shkuar në punë tani, i’u informoj nëse ka diçka të vërtetë”, tha Mjeku për Gazeta Blic.

Parduzi është emëruar në këtë pozitë më datën 10 mars të këtij viti, vendim ky pas dorëheqjes së ish-kryeshefit të “KRU Prishtina”, Ilir Adullahut.

Kujtojmë që qeveria e Kosovës përmes një vendimi të datës 6 mars, ka shkarkuar bordin e vjetër të kësaj ndërmarrje.