Në nëntë ka shkuar në total numri i të infektuar me COVID-19 në Komunën e Podujevës.
Pas infektimit me koronavirus të një punëtori shëndetësor nga kjo komunë, e që punon në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK, pozitivë kanë dalë katër persona që kanë pasur kontakt me të një ditë para se ai të rezultojë pozitiv.
Prej tyre janë dy familjarë nga fshati Pollatë (prindi 1943 dhe vëllai 1976) dhe dy të tjerë nga Podujeva; njëra infermiere (1983) e QKMF-së, por që atë ditë ka qenë në cilësinë e pacientes të tij, dhe tjetri teknik i farmacisë i cili punon në një barnatore afër ordinancës private në Podujevë të mjekut të infektuar, raporton KOHA.
Epidemiologia e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë, Bedrie Rama, ka thënë se prej kur ka rezultuar pozitiv mjeku nga Klinika e Gjinekologjisë në QKUK (e që një ditë më parë kishte qëndruar në Podujevë), i kanë testuar 16 persona që kanë pasur kontakt me të, 12 prej të cilëve kanë rezultuar negativë.
“Prej atyre që kanë rezultuar negativ janë 4 familjarë, infermierja që punon në ordinancën private të mjekut, 3 paciente, 2 laborantë, 1 teknik i farmacisë dhe 1 infermiere në barnatore. Gjendja shëndetësore e të gjithë pacientëve tash për tash është stabile dhe të gjithë janë në vetizolim në shtëpitë e tyre. Të gjitha pacientet kanë pasur mjete mbrojtëse atë ditë dhe nëse u kanë munguar u janë dhënë para se të hyjnë në ordinancë. Ndërsa, infermierja në cilësinë e pacientes nuk ka pasur maskë, sepse ka thënë se ka alergji prej saj”, ka deklaruar Bedrie Rama.
Rasti i parë që ka rezultuar pozitiv me COVID-19 në Komunën e Podujevës është 62-vjeçari nga fshati Dumnicë e Epërme. Ai kishte ardhur më 5 mars nga Italia, ndërsa fiks pas 10 ditësh (më 15 mars) pas testimit ka dalë pozitiv. Ai tashmë është personi i parë në Kosovë që është shëruar plotësisht nga 27 marsi. Por, menjëherë pas tij, të infektuar me këtë virus kanë rezultuar edhe prindi i tij 82-vjeçar (më 17 mars) dhe motra 54-vjeçare nga fshati Bradash (më 18 mars). I pari më 22 mars ka ndërruar jetë në Klinikën Infektive, duke shënuar kështu viktimën e parë në Kosova nga COVID-19, ndërsa 54 vjeçarja është shëruar më 9 prill.
Ndërkohë, më 28 mars pozitiv kishte dalë edhe një 31-vjeçare që kishte ardhur nga Italia. E njëjta më 12 prill ishte shëruar plotësisht. Prej kësaj date, në Podujevë nuk kishte pasur asnjë të infektuar me COVID-19. Ndërkohë që rasti i pestë është gjinekologu (1969) nga QKUK-ja, i cili kishte pasur kontakt me një paciente në Klinikë që ishte infektuar me COVID-19. Ndërsa, një ditë para se ai të dalë pozitiv, më 15 prill ai kishte punuar në ordinancën private të tij në Podujevë dhe kishte qëndruar për disa orë edhe në familjen e tij në fshatin Pollatë. Tash numri i të infektuarve në Komunën e Podujevës ka shkuar në nëntë dhe katër personat e fundit pozitivë janë raste kontakte me këtë punëtor shëndetësor.