Kryeshefi i Telekomit thotë se urdhrat politikë e kanë sjellë Telekomin ku është sot

Kryeshefi i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi, përmes një konference për media, ka deklaruar se thirrja e mbledhjes së sotme nga Bordi i ri i përkohshëm është e jashtëligjshme.

Sipas tij, personat që ushtrojnë poste zyrtare dhe bëjnë dëme ndaj personave tjerë, sipas ligjit dënohen me burg.

Istrefi ka thënë se vendimet e Kurtit dhe zbatimet e tyre nga militantët e VV-së, nuk e dëmtojnë kryeministrin në detyrë, por të tjerët.

Reklama e sponzorizuar

“E kam thirrur këtë konferencë për shkak të zhvillimit të fundit. Siç po e shihni shumë institucione po njoftohen për takime përmes mediave dhe jo përmes rrugëve të tjera brenda. Kam marrë njoftim për shkarkimin e dy anëtarëve bordit me e-mail. Kjo mbledhje është e thirrur në mënyrë joligjore. Është bërë shkelje të statutit të tij, thirrja duhet të dorëzohet tre ditë para se të thirret takimi. Thirrja e mbledhjes pa njoftim paraprak përbën shkelje ligjore. Personat që ushtrojnë poste zyrtare dhe bëjnë dëme ndaj personave të tjerë me ligj dënohen me burg. Vendimet që merr Albin Kurti t’i zbatojnë militantët e tij, të largohen njerëzit prej institucioneve, nuk e dëmtojnë Kurtin por të tjerët”, ka thënë a

Sipas tij, vetë ardhja e bordit në mënyrën se si ka ardhur, është dyshuese që vendimet që ata marrin janë të jashtëligjshme, duke deklaruar se “më bëjnë me mendu se ato vendime të tyre të mos i zbatojë”.

Ai tutje ka shtuar se kanë paralajmërim se do të shkarkohet menaxhmenti.

“Urdhrat politik e kanë sjellë Telekomin ku është sot”, ka thënë ai.

Istrefi thotë se gjatë udhëheqjes së tij në krye të kësaj ndërmarrjeje, ka pasur ulje të shpenzimeve, duke shtuar se tani po kërkohet të kthehet kontrata me z-mobile.

Ai thotë se “në bordin e instaluar politik kemi anëtar të bordit me të kaluar kriminale. Na kanë sjellë njerëz që kudo kanë shku kanë bë vetëm dëme. Kanë sjellë njerëz servil që thirren në emër te punëtorëve. Sot në vend se të merren me stabilitet merren me shkarkime dhe ngarkime”.

Ai tutje ka shtuar se nuk kanë bazë ligjore për shkarkimin e tij.

“Nuk ka bazë ligjore me më shkarku mu e edhe forma ligjore e thirrjes së kësaj mbledhje është e jashtëligjshme Nuk ka procedurë ligjore këtu po flasim për kapje të shtetit. Të gjithë anëtarët e bordit pa përjashtim janë militantë të VV-së Do të inicioj kallëzime penale për shkelje të tilla ligjore”, ka thënë ai.