Ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami, ka njoftuar se është nxjerrë vendim për “Procedurat e realizimit të vlerësimit të nxënësve gjatë mësimit në distancë”, në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar.
Gjithashtu ajo ka njoftuar se është përpiluar një udhëzues për vlerësimin e nxënësve, gjatë periudhës emergjente.
Bajrami ka bërë të ditur se këto dy dokumente duhet të konsiderohen pjesë integruese e mësimit në distancë
“MASHTI ka nxjerrë vendim për ‘Procedurat e realizimit të vlerësimit të nxënësve gjatë mësimit në distancë’, në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar. Ndërkaq Udhëzuesi për vlerësimin e nxënësve gjatë mësimit në distancë sugjeron që vlerësimi i nxënësve gjatë mësimit në distancë realizohet i integruar. Ashtu që, gjatë periudhës së mësimit në distancë në rrethana të pandemisë COVID 19 nuk do të zbatohen dispozitat e nenit 3 të Udhëzimit Administrativ 8/2016 për Vlerësimin e nxënësve sipas kornizës së kurrikulës së arsimit parauniversitar në Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Sipas saj, në udhëzues janë ofruar detaje për metodat, mënyrën e format e notimit dhe procedurat e vendosjes së notave në ditarin personal të mësimdhënësit.
“Notat e vendosura nga mësimdhënësit duhet të raportohen në organet e shkollës, me qëllim të lëshimit të librezave, certifikatave, dëftesave e diplomave për nxënës. Pastaj, në momentin që krijohen kushtet për kthim në shkollë, notat përfundimtare vendosen në ditarin e klasës përkatëse dhe në librat amë”, thuhet në njoftim.
E para e MASHTI-t në detyrë, ka njoftuar gjithashtu edhe për mbajtjen e testit të arritshmërisë për klasat e nënta dhe provimin e maturës për klasat e 12-ta.
Ajo ka thënë se një vendim për mbajtjen e të dyja këtyre provimeve do të merret në muajin maj.
“Me këtë vendim gjithashtu do të harmonizohen datat për regjistrim në klasën e 10-të si dhe afatet për aplikim për studime në Universitete apo Kolegje. Falënderoj edhe njëherë të gjithë ekspertët e angazhuar në përpilimin e udhëzuesit i cili ka qenë kërkesë e shumë mësimdhënësve dhe do të lehtësoj tërë procesin e vlerësimit të nxënësve në këto rrethana të pazakonta”, ka shkruar ajo.