Ministrja Hajdari: Nga 4 maji mund të ketë hapje graduale të bizneseve

Rozeta Hajdari, ministre në detyrë e Ekonomisë ka thënë në INTERAKTIV të KTV-së se nga 4 maji mund të ketë hapje graduale të bizneseve.

“E konsiderojmë që mund të ketë dhe shpresoj që në bashkëpunim me qytetarët këto masa mund të hiqen edhe më herët, varësisht nga pandemia”, ka thënë ajo.

Hajdari ka folur edhe për buxhetin që ka trashëguar Qeveria. “Kemi trashëguar një buxhet me shumë humbje financiare, minus 300 milion euro i kemi trashëguar. Kemi trashëguar një buxhet me shumë borxhe”, ka thënë ajo, teksa e ka akuzuar opozitën se po përdorë lajthitjet ndaj bizneseve, duke propozuar pako të ndryshme.

Reklama e sponzorizuar

Sa iu përket këtyre pakove, Hajdari ka thënë se “Pakon Finaciare Emergjente mund ta propozojë vetëm Qeveria dhe e nuk di që mund të ketë pako paralele nga Kuvendi. Është një pako që e sjell ekzekutivi dhe ajo pako vjen në shqyrtim”.

Ajo po ashtu ka folur për masat e Qeverisë gjatë pandemisë. Ka thënë se masat janë marrë për qëllimin e vetëm që të ruhen jetët e qytetarëve. Hajdari ka treguar për ecurinë e këtyre masave, duke argumentuar fillimisht mbylljen e qendrave tregtare, e më pas ndërmarrjen edhe masave më rigoroze. E tërë kjo, si ka thënë, shkakton humbje të mëdha ekonomike.

“Por, Qeveria e Kosovës do të mundohet që me Pakon e parë Emergjente Fiskale t’i përgjigjet kësaj nevoje, po ashtu me pakon e dytë, atë të Rimëkëmbjes Ekonomike. Vlerësimet konkrete do të vijnë më pas, jemi në bashkëpunim të afërt me odat ekonomike për t’i adresuar çështjet e humbjeve ekonomike”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se do të ketë vështirësi në regjistrimin e humbjeve ekonomike në sektorin joformal, pasi që ka biznese që nuk dihet si do t’i raportojnë punëtorët që nuk kanë qenë me kontratë.

“Kjo do të jetë sfidë për ne”, ka thënë ajo.

Hajdari ka thënë se është herët të vlerësohen humbjet në termat makroekonomikë, por ka paralajmëruar se në ditët në vijim do të bëhen analiza rreth këtyre humbjeve.

Hajdari ka folur edhe për pasojat mbi bizneset. “Parashoh që do të ketë mbyllje të bizneseve, pasi që kemi trashëguar biznese me likuiditet të ulët”, ka thënë ajo.