Policia e Kosovës dhe Karabinierët vendosen tek ura e Ibrit, s’lejojnë qytetarët të dalin në veri

Policia e Kosovës dhe Karabinierët e Italisë janë vendosur tek ura e Ibrit në Mitrovicë, duke mos lejuar qytetarët të dalin në pjesën veriore, raporton KOHA.

Kjo për shkak se Mitrovica e Veriut, me vendim të Shtabeve të Krizave, është në karantinë, për shkak të situatës me koronavirus.

KOHA mëson se në kuadër të Policisë së Kosovës, ka policë shqiptarë e serbë që po patrullojnë në Mitrovicën e Veriut.

Reklama e sponzorizuar

Mitrovica Veriore dhe Zveçani në karantinë

Mbrëmë dy komuna serbe në veri të Kosovës, Mitrovica e Veriut dhe Zveçani, janë futur në karantinë me vendim të Shtabeve të Krizave të themeluara në këto dy komuna.

Këtë e ka konfirmuar dje kreu i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, duke bërë të ditur hyrjen në fuqi të vendimit në orën 18:00.

Nga komunat serbe në Kosovë, 17 persona deri më tani kanë rezultuar pozitiv me Covid-19, derisa është shënuar edhe një viktimë nga komuna e Leposaviqit.

KOHA ka dërguar pyetje te Ministria e Brendshme lidhur me këtë çështje, por ende nuk ka marrë përgjigje.