Zharku: Bizneset duhet të zgjedhin punën para “Pakos Emergjente”

Ish-ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku ka thënë që bizneset nuk duhet të presin iniciativën e politikajve për zgjedhjen e vështirësive të tyre, dhe se ata duhet t’iu prijnë me propozimin e masave për luftimin  ekonomik të pandemisë. Puna është e para, puna sjell paratë. 

Postimi i plotë:
 
Përderisa përfaqësuesit (shoqatat) e bizneseve dhe politikajt, pozitë dhe opozitë, po bëjmë “garë” për “pako emergjente” ekonomia po tkurret gjithnjë e më shumë, e në vecanti me masat e fundit për luftimin e pandemisë. Vlerësimet e FMN-së janë për tkurrje deri në 5% të BPV. Rënja e të hyrave tatimore është vlerësuar në 200 mil euro nga Ministria e financave që nënkupton rritje të deficitit buxhetor, nëse nuk zvogëlohen të dalat buxhetore për të njëjtën shumë. Zakonisht, shpenzimet e para që shkurtohen (sepse është më lehtë) janë ato kapitale, e që edhe më shumë e përshpejtojnë rënjen ekonomike. Në këtë situatë shoqatat e bizneseve po mundohen të bindin politikajt se dëmet janë shumë më të mëdha dhe nevojitet pako sa më gjeneroze financiare. Në anën tjetër, politikajt pa përpjekje serioze që të kuptojnë problemet e bizneseve, përpiqen që kërkesat e tyre t’i akomodojnë në një pako sa më të “pranueshme” për buxhetin e vendit. Me gjithë “vullnetin” e mirë të cilësdo qeveri që të përkrah bizneset, dhe ngjalljen e ekonomisë, aktualisht kjo duket e pamundur, së pari për shkak të kufizimeve ligjore të deficitit buxhetor prej 2%, dhe pastaj vështirësive në huamarrje.
Kjo qasje duhet të ndërrohet nga të dyja palët, e në fillim nga vet shoqatat e bizneseve. 
Eshtë e kuptueshme, e që bizneset e dijnë më së miri, se qeveria nuk mund të “përkrah” financiarisht askënd nëse nuk krijon të hyra tatimore, e të cilat po zvogëlohen cdo ditë. Do të ishte jo e drejtë që bizneset të kerkojnë, në këtë fazë, nga Qeveria që të hyjë borxh për të subvencionuar humbjet e tyre (kryesisht të fuqisë punëtore) si pasojë e “fuqisë madhore”, pandemia dhe masat e Qeverisë (të cilat nuk dihet se sa do të zgjasin), për faktin e thjeshtë se kjo nënkupton shfrytëzim joefektiv të borxhit publik.  Qeveria duhet që të gjitha kapacitetet e saj, në vecanti ato financiare, t’i shfrytëzojë në këtë kohë për luftimin e pandemisë, që nënkupton ruajtjen e shëndetit të popullatës në njërën anë,  dhe shkurtimin sa më të madh të periudhës së “situatës emergjente” që tërë vendi, dhe ekonomia, sa më shpejtë të kalojë në gjendje normale, në anën tjetër. 
Prandaj, objektivi i shoqatave të bizneseve në këtë fazë nuk duhet të jetë “pakoja financiare” gjatë pandemisë por “negociimi” me Qeverinë që të lejojë, dhe të ju mundesojë, sa më shumë bizneseve të operojnë duke respektuar plotësisht masat e percaktuara nga IKShP. Aktualisht janë lejuar disa veprimtari prodhuese, por është ndërprerë “cikli i qarkullimit të produktit” pasiqë, cuditërisht, është ndaluar qarkullimi (tregtimi) dhe shfrytëzimi (konsumimi) i produkteve që lejohen të prodhohen. Cila është logjika që psh. të lejohet prodhimi i materialit ndërtimor kurse nuk është lejuar ndërtimtaria si veprimtari. Pasiqë produkti nuk arrin te konsumatori i fundit, por mbetët në stoqe, është e kuptueshme që shumë pak kompani do të punojnë, në mungesë të kapaciteteve fizike për deponim apo vështirësive financiare. Prandaj, zgjerimi i listës së veprimtarive të lejuara që të operojnë është zgjidhja optimale dhe e cila do të kishte efekte të shumta përfituese për të dyja palët: 
– përdorimi i resurseve publike në disponim (njerëzore dhe financiare) do të përqendrohej kryesisht në luftimin me sukses të pandemisë dhe adresimin e qështjeve sociale, 
– do të ruheshin shumë vende të punës në sektorin privat,
– do të zvogëlohej gjatë pandemisë presioni i shoqatave të biznesit në Qeveri për “pako emergjente financiare”, 
– do të zvogëlohej shuma e subvencioneve apo “përkrahjes” potenciale në periudhën post-pandemike për bizneset që janë të lejuara dhe mund të operojnë, 
– mbajtja e një niveli të aktivitetit ekonomik do të zbuste rënjen e kërkesës agregate dhe, rrjedhimisht, edhe te të hyrave tatimore në buxhet, etj.
Për më tepër, është e pa kuptueshme që bizneset tona të “vrapojnë” drejt e në Qeveri dhe mos të “ngushtohen” sadopak e të bashkëndjejnë më të punësuarit e tyre dhe popullin. Përgjegjësia sociale duhet të jetë një nga parimet e zhvillimit të bizneseve tona. Eshtë për t’u përshendetur shembulli i një numri të vogel të bizneseve të medha me ndihmat e tyre (nën besimin që pas kalimit të pandemisë nuk do të aplikojnë për “përkrahje” financiare). Përndryshe, cili është përfitimi i vendit nga përkrahja e një biznesi, jo të qëndrueshëm, që operon me vite dhe nuk është në gjendje t’iu paguajë 50% të pagës punëtorëve të tij së paku për 2-3 muaj!
Bizneset nuk duhet të presin iniciativën e politikajve për zgjedhjen e vështirësive të tyre. Ata duhet t’iu prijnë me propozimin e masave për luftimin  ekonomik të pandemisë. Puna është e para, puna sjell paratë. E sa për “kreativitetin” e politikajve për përkrahje të bizneseve më së miri flet “trajtimi” i sektorit bankar. Qeveria arriti “sukses” të shtyjë pagesën e ratave të kredive, por interesi duhet të paguhet… Ju falemnderit për këtë ndihmë!

Përndryshe, nuk ka vota në këtë punë… E biznes, nuk dihet!

Reklama e sponzorizuar

Vera po vjen