Koronavirusi ka pësuar mutacion, studiuesit thonë se ky lloj i ri po përhapet më shpejt

Koronavirusi që u shfaq në Wuhan të Kinës, ka ndryshuar dhe mutacioni i ri, që po përhapet në SHBA, duket të jetë edhe më infektues se Covid-19, sipas një studimi të ri shkruajnë mediat amerikane.

Nëse koronavirusi nuk do të zvogëlohet gjatë verës si gripi sezonal, ai mund të ndryshojë më tej potencialisht edhe efikasitetin e vaksinave që mund të zhvillohen për koronavirusin nga shkencëtarët, paralajmëruan studiuesit.

Studimi i udhëhequr nga shkencëtarët në Laboratorin Kombëtar Los Alamos tha që lloji i ri, një mutacion i ri i koronavirusit origjinal, u zbulua tre muaj më parë në Evropë. Ai arriti shpejt në shtetet lindore të Shteteve të Bashkuara përpara se të bëhej virusi më mbizotërues në botë që nga mesi i marsit.

Reklama e sponzorizuar

Shkencëtarët, të cilët përpiluan raportin thanë se gjetjet e tyre kanë nxitur një “nevojë urgjente për një paralajmërim të hershëm” për prodhuesit e vaksinave dhe ilaçeve për të gjetur zgjidhje që do të jenë efektive kundër llojit të ri të virusit.

Lloji i ri ka infektuar me shpejtësi shumë më tepër njerëz sesa versionet e mëparshme që u përhapën përtej qytetit të Wuhanit në Kinë, thuhet në raport. Brenda disa javësh, ai ishte i vetmi lloj në vendet e prekura nga koronavirusi.

Studimi gjeti se soji i ri ishte më infektiv, megjithëse ende nuk dihen arsyet. Versioni i ri nuk duket të jetë më vdekjeprurës se ai origjinal, megjithëse njerëzit e infektuar nga ky lloj duket se kanë nivele më të larta virale.

Studimi paralajmëron se nëse pandemia nuk dobësohet pas ngrohjes së motit, virusi mund të vazhdojë të ndryshojë ndërkohë që puna për prodhimin e një vaksine dhe gjetjen e trajtimeve të tjera mjekësore vazhdon.

Autorët e studimit thanë se efektshmëria e trajtimeve të reja mjekësore mund të jetë e kufizuar nëse komuniteti shkencor global nuk i identifikon më parë rreziqet që paraqet versioni i ri i koronavirusit.

Laboratori Kombëtar i Los Alamosit, me qendër në shtetin jug-perëndimor amerikan të Nju Meksikos, është pjesë e Departamentit amerikan të Energjisë./VOA