500 operatorë ekonomik dhe 2 mijë autobusë që nga 14 marsi i kanë të pezulluara aktivitetet e tyre si pasojë e masave të marra nga Qeveria e Kosovës dhe nga ministritë përkatëse si pasojë e përhapjes së virusit COVID-19 në vend.
Kryetari i Shoqatës së Transportit Rrugor si dhe kryesues i Kuvendit të Odës Ekonomike të Kosovës, Ruzhdi Kurtishaj, në një intervistë për “Front Online”, ka shprehur shqetësimin për mos përfshirjen në Pakon Emergjente Fiskale, të prolongimit apo shtyrjes së tatimeve.
“Kjo Pako me të vërtetë nuk përmbush as për së afërmi nevojat e bizneseve duke përfshirë edhe të punësuarit në sektorin privat. Ne jemi shumë të shqetësuar sa i përket Pakos e cila realisht nuk e ka përfshirë prolongimin apo shtyrjen e tatimeve, e sidomos për tatimin mbi vlerën e shtuar, tatimin në qira dhe tatimet e tjera”, ka thënë ai për “Front Online”.
Kësisoj Kurtishaj ka kërkuar që mjetet financiare që janë përfshirë në Pakon Emergjente Fiskale të ri destinohen.
“Ne edhe njëherë kërkojmë që këto mjete të ri destinohet, apo të rishikohet buxheti komplet nga ana e kuvendarëve dhe kërkesat e Odës Ekonomike të Kosovës të merren parasysh sepse janë kërkesa legjitime, të dinjitetshme edhe janë kërkesa që realisht i ndihmojnë sektorit privat për rimëkëmbje ekonomike”, ka thënë ai.
Në Kosovë, sipas Kurtishajt, më shumë se 98% e transportit rrugor bëhet me autobusë. Kjo, sipas tij, ka ndikuar që të ketë humbje të mëdha në këtë sektor.
“ Për të mos thënë më shumë diku 98% e transportit rrugor bëhet me autobus. Është folur shumë pak në këtë pjesë dhe është bërë shumë pak. Kemi marrë shumë telefonata nga shumë operatorë të transportit rrugor të udhëtarëve dhe nga gjithë Kosovë të cilët kanë shprehur shqetësimin dhe indinjatën e tyre lidhur me mos përfshirjen e sektorit të transportit rrugor apo publik të udhëtarëve në asnjë vendim të ministrive apo të ministrisë”, ka thënë ndër të tjera ai.
500 operatorë ekonomik dhe 2 mijë autobusë, jashtë vendeve të punës
Rreth 500 operatorë ekonomik dhe 2 mijë autobusë kanë mbetur jashtë vendeve të punës si pasojë e marrjes së masave nga Qeveria e Kosovës.
“Nga 14 marsi me vendim të veçante të Qeverisë i gjithë transporti rrugor i udhëtarëve është i ndaluar. Janë diku mbi 500 operatorë të transportit publik apo rreth 2 mijë autobusë që janë duke qëndruar jashtë vendeve të tyre të punës”, ka thënë Kurtishaj.
Kryetari i Shoqatës së Transportit Rrugor ka shprehur shqetësimin edhe për mbi 35 mijë të punësuar në sektorin privat që kanë mbetur pa punë në këtë periudhë.
“Nëse flasim për dëm ekonomik janë me miliona euro e që realisht janë duke u dëmtuar operatorët ekonomik. Në të njëjtën kohë janë diku edhe 35 mijë të punësuar në sektorin privat të cilët për shkak të këtyre masave sot për sot janë jashtë vendeve të tyre të punës”, ka thënë ai.
Për sa i përket fillimit të operimit të transportit rrugor, Kurtishaj ka theksuar se ende nuk dihet se kur do të mund të fillojë një gjë e tillë.
“Ne si Kosovë ende nuk e kemi një datë të përafërt ku ne mund të mendojmë të paktën për të filluar punën. Problemi kryesor është që edhe kur të filloj puna se cilat do të jenë përgatitjet e nevojshme edhe pse ne i kemi marr masat, por në ndërkohë presim që edhe qytetarët të jenë të kujdesshëm me masa mbrojtëse”, ka thënë ai.
Transporti rrugorë i gatshëm për operim
Nga Shoqata e Transportit Rrugorë është kërkuar rikthimi i tyre në vendin e punës. Kjo pasi që sipas kryetarit të kësaj shoqate Ruzhdi Kurtishaj, janë marrë të gjitha masat për të garantuar sigurinë e shëndetit të udhëtarëve.
“Ne duhet të përfshihemi në masat e qeverisë pra për lejimin avash-avash për të dal në punë, përkundër asaj që qeveria nuk ka bërë asgjë për ne në këtë drejtim, as ministritë përkatëse. Ne si operator të sigurimit të transportit të udhëtarëve kemi marr masa duke bërë dezinfektimin e autobusëve, pastrimin, përgatitjen konform protokollit që ka të bëj me ruajtjen e shëndetit të qytetarëve”, ka thënë ai.
Në vendet e rajonit kanë filluar masat lehtësuese për transport
Në vendet e botës dhe të rajonit tashmë kanë filluar masat lehtësuese përfshirë kështu edhe ato për transportin rrugorë. Kurtishaj theksoi se këto vende i kanë marrë këto masa për të lehtësuar operimin e mjeteve të transportit rrugor.
“Kemi vendet e Evropës por edhe të rajonit që tashmë kanë marr masat adekuate lehtësuese për të rifilluar punën në sektorin e transportit rrugorë. Kemi Italinë që nga data 4 maj ka bërë përgatitjet për lehtësim të masave dhe sot kemi pasur një protestë të madhe në Gjermani në përkrahje të sektorit të turizmit dhe të transportit rrugor dhe autobusëve si dhe kemi Serbinë e cila ka paralajmëruar që nga java e ardhshme do të filloj punën me udhëtimet dhe transportin rrugor”, ka thënë ai.