Përfaqësuesja e posaçme e BE-së, Nataliya Apostolova, ka thënë se liberalizimi i vizave në Kosovë do të arrihej shumë më lehtë, po të mos kishte zgjatur aq shumë vendimi për demarkimin e kufirit me Malin e Zi.
Ajo në DESKU-n e Kohës ka thënë se nuk donë ta fajësoj askënd, por shton se Qeveria e Kosovës aso kohe do të duhej të ishte më e hapur për ta votuar demarkacionin e kufirit sa më shpejtë që është e mundur.
Apostolova ka thënë se problemet me korrupsion dhe krim të organizuar nuk janë vetëm në Kosovë por edhe në shumë vende të rajonit.
“Po flasim për fillimin e 2016-s. Sidoqoftë, tani po hyjmë në atë që do ta përshkruaja si çështje që ka të bëjë me standardet dhe me vetë proceset e integrimeve të BE-së. Kur flasim për korrupsionin dhe kushtet për liberalizimin e vizave, por edhe sundimin e ligjit në përgjithësi, edhe këto janë çështje që në njërën apo tjetrën mënyrë janë të ngërthyera me procesin e integrimeve në BE, të cilat i kemi nisur me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit”, ka thënë ajo.
Duke folur për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, ajo ka thënë se kjo është e arritur e madhe për Kosovën dhe se vendi vazhdon të ketë status të veçantë për shtete të caktuara anëtare.
“Dhe fakti që kemi arritur marrëveshje kontraktuale mes Kosovës dhe BE-së paraqet arritje të madhe. Këtë po e them duke e ditur se si funksionojnë institucionet tona. Pra, është arritje e madhe shkaku që pavarësisht atij fakti, tash e kemi mundësinë të shpërndajmë para, t’ju ndihmojmë financiarisht në të gjitha sferat e jetës, pra kjo marrëveshje e hapi atë mundësi. Por, MSA-ja është tejet kërkuese, nuk e di a e keni parë, ajo i ka rreth 300 faqe. Pra, përmban shumë zotime për të cilat dy palët janë pajtuar t’i përmbushin dhe kjo nuk bëhet në mënyrë rastësore”, ka thënë ajo.
Sipas saj, konkurrenca në Bashkimin Evropian është e fortë, duke shtuar se nuk mundesh që thjesht të bëhesh anëtare dhe të mbijetosh atje.
“Pra, MSA është marrëveshje kontraktuale që në të vërtetë e përgatit një shtet për ta reformuar sistemin e saj, për t’u bërë ballë sfidave të kësaj konkurrence brenda BE-së. Arsyeja që po pyes është se kemi raportuar vazhdimisht rreth përmbushjes së MSA-së dhe gjithnjë ka qenë fakt se procesi i përmbushjes i këtyre obligimeve nuk shkonte sipas pritjeve”, ka thënë ajo.
Apostolova lavdëron punën e bërë për liberalizim të vizave dhe gratë
Përfaqësuesja e Posaçme e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka vlerësuar se në Kosovë megjithatë ka pasur procese që kanë shkuar mirë dhe janë kryer me përkushtim.
Në një intervistë për emisionin Desku në KTV, ajo ka thënë se Kosova ka treguar përkushtim të madh për të marrë liberalizimin e vizave, gjë që nuk ka ndodhur ende.
Ka lavdëruar edhe punën e grave në Kosovë.
“Nuk dua të tringëlloj aq pesimiste dhe nuk mendoj që jeta politike në Kosovë është aq e zymtë. Janë shumë raste, mbase më shumë se të tjerat, që Kosova ka treguar angazhim të fuqishëm. Një nga ta është p.sh. përkushtimi për liberalizimin e vizave. Nuk është një proces i lehtë, e di këtë shumë mirë sepse e kam përcjellë atë për vite. Ne kemi bërë një punë të mrekullueshme këtu në Kosovë, kemi punuar me institucionet dhe ne jemi ata të cilët e dimë shumë mirë se sa shumë Kosova ka treguar vullnet me qëllim që të mbyllen kriteret e vëna. Pra, kur ka këso lloj vullneti nacional, gjërat mund të ndryshojnë. Ju keni bërë një punë shumë të mirë në këtë drejtim, por rregulli i ligjit dhe gjitha problemet që janë të lidhura me luftimin e korrupsionit, krimin e organizuar, këto probleme janë gjithmonë të lidhura me proceset”, ka thënë Apostolova.
Ajo thotë se edhe pse janë përmbushur 95 kriteret, duhet të bëhet respektimi i tyre në vazhdimësi.
Ka folur edhe për unitetin te gratë.
“Ka pasur raste kur Kosova ka treguar unitet, dua të përmend rrjetin e grave. Keni gra fantastike në Kosovë, aq të përgatitura, aq të guximshme, aq të bindura se mund të udhëheqin, të kenë peshë në politikë. Si BE kemi krijuar një rrjet përfaqësuesish të të gjitha partive politike në Kuvendin e Kosovës dhe e vërteta është se këto gra gjatë projektit tonë, të trajnuara në negociata, nën udhëheqjen e partive politike apo politikëbërjes dhe në këtë mjedis, kapërcyen dallimet politike. Pra, ka shumë shembuj dhe s’dua të jem pesimiste. Mendoj se Kosova ka një të ardhme të ndritshme. Por, në këtë kohë të pandemisë, kur të ofrohet ndihma e donatorëve dhe atyre që duan ta ndihmojnë Kosovën, duhet t’i kapërceni dallimet politike dhe s’po e shoh këtë”, tha ajo.
Apostolova: Për katër vjet Kosova pati shume kriza, tensioni gjithmonë erdhi nga partitë politike
Përfaqësuesja e posaçme e BE-së, Nataliya Apostolova, ka thënë se për katër vjet të mandatit të saj, Kosova ka kaluar në vazhdimësi nëpër kriza.
Ajo në DESKU-n e Kohës ka thënë se këto katër vjet kanë qenë intensive, duke shtuar se tensioni ka ardhur gjithmonë nga zhvillimet politke.
Apostolova ka shtuar se gjatë kësaj kohe ka dashur të shohë më shumë unitet tek partitë poltike.
“Kur erdha ishte koha kur një vendim shumë i rëndësishëm duhet të merrej në Kuvend për kufirin e Malit të zi dhe ky vendim si e dini ishte ngushtë i lidhur me aspiratat e Kosovës për liberalizimin e vizave, pra nuk shkoi shumë lehtë, në fillim të karrierës sime, menjëherë pas asaj, ishim dëshmitarë të votëbesimit ndaj qeverisë së Isa Mustafës, që po ashtu u përcoll me veprime intensive dhe pasiononte në Kuvend”, ka thënë ajo.
Duke renditur krizat që e kanë përcjellë Kosovën në katër vitet e fundit, Apostolova ka përmendur edhe përpjekjet për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, ndërrimin e shpeshtë të Qeverive si dhe taksën 100 për qind për mallrat serbe dhe ato të Bosnjës të vendosur nga Qeveria Haradinaj.
“Pra, gjithë këto katër vjet u karakterizuan me këto veprime politike, meqë u desh t’i ndaj përshtypjet e mia personale. Natyrisht se partisë politike punojnë gjithmonë për interesa personale të tyre për pushtet, por në të njëjtën kohë në këto katër vjet do të doja të shihja që ato të jenë më të unifikuara kur në pyetje janë çështjen që kanë të bëjnë me qytetarët e Kosovës, pra me mirëqenien e tyre”, ka shtuar ajo.
Ajo thotë se interesat politike duhet të vihen në plan të dytë kur ka çështje emergjente siç është pandemia.
“Të gjitha partitë politike do të doja t’i shihja të bashkuara, në vend se të shpenzojnë energji për t’i dëshmuar interesat e tyre në Kuvend dhe t’i bashkojnë fuqitë e tyre që t’ia kushtojnë të mirës së qytetarëve të vendit”, ka thënë ajo.