Ish-ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka thënë se është e pafalshme që kjo gjendje, siç e ka quajtur ai, abnormale me koronavirusin në vend, të quhet normale nga Qeveria Hoti.
Deputeti i PDK-së, përmes një postimi në Facebook, tha se shifrat ditore të të prekurve me COVID-19 po kërcënojnë shëndetin e qytetarëve, sistemin shëndetësor dhe ekonominë e vendit.
“Për fat të keq, kjo gjendje e rëndë nuk është duke e alarmuar Qeverinë, e cila fillon punën me disa vendime dhe e përfundon me vendime të tjera, asnjëra prej të cilave nuk po rezulton suksesshëm në menaxhimin e pandemisë. Është e pafalshme që kjo gjendje abnormale të trajtohet nga Qeveria si gjendje normale. Është për keqardhje dhe e papranueshme se si Qeveria Hoti vendos masa, heq masa, kufizon qytetarët, liron qytetarët, pavarësisht numrit të të infektuarve. Është një kaos i vendimeve politike në luftën kundër pandemisë”, ka shkruar ai.
Ai e ka kritikuar edhe propozim-vendimin e Qeverisë që qytetarët që kthehen nga Shqipëria, të kenë testin negativ për COVID-19 ose në të kundërtën të vetizolohen.
“Tani, po shohim edhe vendime për masa të vetë-izolimit për këdo që udhëton në Shqipëri. A mos në mostrën e testimeve po dalin se të infektuarit kanë qenë vizitorë në Shqipëri, apo ky është më shumë për një show politik? Cilat të dhëna çuan në këtë vendim? Kosova sot ka nevojë për një strategji kombëtare, me të cilën do të diheshin qartë hapat për luftimin e pandemisë dhe roli e përgjegjësia e institucioneve në nivel qendror dhe lokal”, ka thënë ai.
Po ashtu, vendimet e Qeverisë i ka quajtur “sot për nesër”.
Kosova në muajin e fundit është kthyer në vatër të të infektuarve me koronavirus. Ka numrin më të madh të të infektuarve për kokë banori në Evropë.