Në këtë kohë kur vendi po ballafaqohet me numër të madh të rasteve me COVID-19, Ministria e Shëndetësisë ka pranuar në punë rreth 200 profesionistë, infermierë, mikrobiologë, mjekë të përgjithshëm, laborantë, por në listën e të pranuarve nuk ishin emrat e mjekëve që në mënyrë vullnetare e ndihmuan Klinikën Infektive në kohën kur kishte më së shumti nevojë.
Nga tetë vullnetarë që kanë aplikuar për punë në këtë konkurs, vetëm një prej tyre u pranua ndërsa shtatë të tjerë kanë mbetur jashtë listës, përfshirë edhe specialisten e infektologjisë. Ata thonë se po detyrohen që të largohen drejt Gjermanisë.
Mjekja e përgjithshme vullnetare në Klinikën Infektive, Nita Ymeraga e cila nuk u pranua në konkursin për rekrutimin e profesionistëve shëndetësor, thotë se mundi i tyre nuk u vlerësua, prandaj shtoi se nëse nuk merret vendim për ta pas kësaj javë nuk do vazhdojnë punën e tyre vullnetare në Klinikën Infektive.
Derisa shpreh zhgënjimin, Ymeraga deklaroi për KosovaPress se për këta muaj sa kanë punuar janë aftësuar për trajtimin e pacientëve me COVID-19.
“Me njohuritë tona maksimale jemi munduar të japim të gjithë mundin tonë, kemi bërë shumë dhe stafi mjekësor dhe pacientët kanë qenë shumë të kënaqur dhe ka pasur rezultat. Kjo ka zgjatur deri kur Ministria e Shëndetësisë ka hapur konkursin me të cilin kemi aplikuar 8 mjekë vullnetarë, një prej tyre është specialist dhe shtatë prej tyre nuk janë pranuar dhe vetëm një prej nesh është pranuar… Ne kemi nisur pa njohurinë që ka me ndodh kjo gjë për njohurinë që ka me u hap konkursi kemi bërë vetëm për të mirën e popullit. Por në momentin që është hap konkursi është pa adekuate që ne me aplikua për shkak se konkursi është hapur për menaxhimin e pacientëve me COVID dhe ne gjatë këtyre tre-katër muajve kemi pasur kontakt me pacientët dhe jemi aftësua me i menaxhua pacientët me COVID. Dhe është paraparë që ne të pranohemi ndër të parët në listë të cilët mund t’i ndihmojmë pacientët sa më shumë pacientë. Por përderisa nuk është pranuar as specialistja infektologe na nuk e di as çka presim si mjek të përgjithshëm. Kemi qenë mjaftë të zhgënjyer… Fatkeqësisht e kemi diskutuar edhe këtë javë nëse nuk bëhet ndonjë zgjidhje (nuk e vazhdojmë punën)”, theksoi ajo.
Ymeraga tha se në Ministrinë e Shëndetësisë ky grup i vullnetarëve ka dërguar edhe një ankesë, e cila i ka përfshirë edhe disa parregullsi që i kanë evidentuar.
“Gjatë kohës së aplikimit në konkurs shënonte se doktorët do të thirren në intervistë me shkrim ose me gojë, kjo nuk ka ndodhur as nuk janë shpallur rezultatet me numrin e pikëve e cila do të ishte e duhur dhe këtë e kemi marr vesh pasi që shumë juristë dhe avokatë vullnetarë na kanë ndihmuar neve në mënyrë që të shikojmë dhe të bëjmë ankesën në mënyrë ligjore… As nuk është vërtetuar përvoja e tyre, as nuk janë vërtetuar diplomat të cilat duhet të vërtetoheshin”, tha Ymeraga.
Edhe Rita Çarkaxhija për më shumë se tre muaj ka punuar si mjeke e përgjithshme vullnetare në Klinikën Infektive. Edhe ajo nuk u pranua në konkursin e fundit të Ministrisë së Shëndetësisë, e për këtë ajo është mjaftë e zhgënjyer.
Ajo thotë pas këtij anashkalimit e vetmja gjë që ka mbetur është që të vazhdojë karrierën si mjeke në Gjermani.
“Duke e marrë parasysh se ne që më shumë se tre muaj jemi aftësuar për t’i triazhuar, për t’i diagnostikuar dhe trajtuar pacientët me COVID në mesin e pandemisë, ka qenë zhgënjim kryesisht, dhe nuk kemi mundur të besojmë kur nuk i kemi parë emrat… Diplomat i kemi nostrifikuar, i kemi bërë njohjen në Gjermani dhe tash mbetet vetëm testi B2 dhe nisja për Gjermani… Është shumë gjynah që një shtet që na ka shkolluar dhe na ka sjellë deri këtu duhet ta lëmë”, theksoi ajo.
Lidhur me pakënaqësitë e shprehura nga vullnetarët që nuk u pranuan sot ka reaguar Ministria e Shëndetësisë. Në njoftimin e tyre thuhej se përzgjedhja e kandidatëve është bërë në atë mënyrë që së pari janë përfshirë specialistët e fushave të mjekësisë dhe mandej, sipas radhës, duke u renditur sipas kohës më të gjatë nga data e licencimit”, thuhet në komunikatë.
“Me konkursin e datës 12 qershor 2020 të shpallur nga Ministria e Shëndetësisë, në mesin e 200 pozitave për profesionistë shëndetësorë në funksion të monitorimit të situatës rreth Covid-19 janë paraparë edhe 100 pozita për mjekë.
“Sipas kritereve të konkursit, përveç shkollimit të përfunduar në mjekësi dhe licencës së punës, përparësi për kandidatët pjesëmarrës ka qenë grada me e lartë, koha më e gjatë e licencimit dhe në kushte të barabarta, kur shembull në të njëjtën datë janë licencuar dy kandidatë, përparësi t’i jepet kandidatit që ka punuar si vullnetarë në kohën e pandemisë Covid-19.
“Pra, në kushte të barabarta të plotësimit të kritereve, kandidatët që kanë shërbyer vullnetarisht gjatë kohës së pandemisë kanë pasur përparësi.
“Përzgjedhja e kandidatëve është bërë në atë mënyrë që së pari janë përfshirë specialistët e fushave të mjekësisë dhe mandej, sipas radhës, duke u renditur sipas kohës më të gjatë nga data e licencimit”, thuhej në reagimin e MSH-së/KosovaPress.