Sindikata padit “Z-Mobile”, kërkon të vërtetohet se kontrata s’ka ligjshmëri

Dy ditë pasi Telekomit të Kosovës iu bllokuan të gjitha xhirollogaritë, Sindikata e punëtorëve ka dorëzuar padi në Gjykatën Themelore të Prishtinës ndaj “Z-Mobile”.

Përmes kësaj padie, është kërkuar që të vërtetohet pavlefshmëria e kësaj kontrate dhe njëkohësisht është kërkuar që të vendoset masa e sigurisë, raporton KOHA.

Dy avokatët, të cilët do ta përfaqësojnë në gjykatë këtë padi, kanë thënë se ajo përmban 53 faqe dhe ka detaje rreth paligjshmërisë së kontratës me “Z-Mobile”.

Reklama e sponzorizuar

Gjatë së premtes, PDK-ja përmes një konference për media ka thënë të jetë e shqetësuar me zhvillimet e fundit në Telekomin e Kosovës.

Partia opozitare kërkoi hetim dhe vënie para përgjegjësisë të të gjithë atyre që kanë shkaktuar këtë gjendje në Telekom.

Disa ditë pasi Gjykata Themelore e Prishtinës ia njohu të drejtën kompanisë “Z-Mobile” për përmbarimin e borxhit prej më shumë se 24 milionë eurosh që ia kishte Telekomi, këtij të fundit i ishin bllokuar xhirollogaritë.

Zyrtarë të ndërmarrjes kanë paralajmëruar se nëse kjo gjendje vazhdon, është çështje ditësh kur mund të ndërpriten shërbimet për institucionet e qytetarët.