Edhe politikanë edhe biznesmen. Ky është përshkrimi për shumicën e ministrave në Qeverinë Hoti. Krahas detyrave shtetërore, ata në të njëjtën kohë mbajnë edhe biznese private.
Shkruan: Mirjeta Shabani
Bazuar në raportimet për deklarimet e pasurisë, gjysma e ministrave të Qeverisë Hoti kanë aksione nëpër biznese të ndryshme në vend.
Buletini Ekonomik ju sjell listën e ministrave biznesmen të kësaj qeverie.
I pari i Ekzekutivit përpos pozitën shtetërore që e mban aktualisht, nuk ka asnjë biznes personal, e as edhe aksione në ndonjë kompani private.
Për dallim prej tij, shumica e zyrtarëve të Qeverisë së tij, kanë edhe biznese private përpos pozitave që mbajnë. Zëvendësi i parë i tij, Besnik Tahiri ka një kompani të veten për konsulencë, qëllimi i së cilës thotë të jetë dhënia e ndihmës dhe këshillave në zhvillimin e strategjive të qeverisjes. Në këtë kompani këshilluese, zëvendëskryeministri Tahiri ka në pronësi 100 për qind të aksioneve të saj, vlera e të cilave thotë të jetë 2 mijë euro.
Edhe zëvendësja tjetër e kryeministrit Hoti, Albulena Balaj-Halimaj ka në pronësi të saj gjithsej tri biznese. Në deklarimin e pasurisë në AKK, ajo ka paraqitur se posedon së bashku me bashkëshortin 100 për qind të aksioneve në secilën prej këtyre kompanive. Balaj-Halimaj drejton këto kompani: “NTT”Halimaj Reisen”, është biznesi që ajo është aksionare së bashku me bashkëshortin e saj, kompani kjo që daton që nga viti 1992. E kapitali i tij arrin në 40 mijë euro. Në pronësi të përbashkët ajo ka deklaruar edhe një restorant “Prizreni Halimaj Reisen”, të cilit nuk ia ka paraqitur kapitalin fare, mirëpo i njëjti thotë se ekziston që nga viti 2006. Ndërkaq, përpos këtyre, ajo së bashku me bashkëshortin, tani në vitin 2020 ka hapur edhe një biznes të ri të quajtur “Metal forms SHPK” me gjithsej 20 mijë euro kapital. Kurse, “NTT “Halimaj Reisen”, është në pronësi vetëm të bashkëshortit të saj, me një kapital prej 130 mijë eurosh, e që daton që nga viti 2013.
Driton Selmanaj, zëvendëskryeministri tjetër, nuk posedon aksione në asnjë biznes.
Meliza Haradinaj Stublla, ministre e Punëve të Jashtme të Kosovës, për vitin 2020, ka deklaruar vetëm një biznes të bashkëshortit, në të cilin ai posedon 70% të aksioneve. Biznesi titullohet “British International School of Kosova (BIS Kosovo)”, me një kapital prej 14 mijë eurosh.
Ministri i Bujqësisë, Besian Mustafa ka deklaruar 100 për qind aksione në biznesin e quajtur “Gainsight Services”, që është në pronësi të tij, por me një kapital tejet të ulët.
E ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, dhe ai i Zhvillimit Ekonomik, Blerim Kuçi, ende nuk kanë deklaruar pasuritë e tyre në Agjencinë Kundër Korrupsion, për pozitat që kanë marrë këtë vit, mirëpo sipas deklarimit të pasurisë për vitin 2019, që të dy kanë deklaruar aksione nëpër biznese private.
Selim Selimi, tani me pozitën e ministrit të Drejtësisë, vjet pati deklaruar aksione prej 100 për qind në shoqërinë “Selimi & Associates”, e formuar në vitin 2016, por me një kapital të vogël.
Kurse, Blerim Kuçi nga AAK-ja, në vitin 2019 kishte deklaruar po ashtu posedim 100 për qind të aksioneve në dy kompani biznesesh me kapital miliona eurosh. “NPN “Hidroterm” shpk”, është njëri prej bizneseve të ministrit, që si kapital të këtij biznesi, Kuçi ka paraqitur vlerën prej 782 mijë eurosh, ndërsa biznesi tjetër “Hidroterm BK-Doo”, në të cilin po ashtu posedon 100 për qind të aksioneve, ka deklaruar një kapital të lartë, vlera e të cilit arrin shumën prej 1 milion e 72 mijë eurove.
Gjithashtu, ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi ka një biznes të vetin të deklaruar, ku posedon 100 për qind të aksioneve të tij. “Laris group sh.p.k.” është një komani private, pra e ministrit Abrashi, e cila sipas faqes zyrtare të saj, merret me raporte dhe dokumente që përmbajnë të dhëna ligjore dhe financiare. Kapitali i këtij biznesi, sipas deklarimit të ministrit është 1 mijë euro.
Edhe Kordinatori për dialogun Kosovë-Serbi, i emëruar së fundmi nga kryeministri Hoti, Skënder Hyseni, ka deklaruar se posedon 100 për qind të aksioneve në kompaninë që është në pronësi të tij, “KSH-Consulting shpk”, e cila ka një kapital prej 9 mijë eurosh.
Ndërkaq, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, dhe ai Shëndetësisë, Armend Zemaj, sipas deklarimeve, nuk posedojnë aksione në ndonjë biznes privat. Po ashtu edhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi ende nuk e ka deklaruar pasurinë e tij në AKK për pozitën e re.
Prej ministrave të tjerë që nuk kanë raportuar për ndonjë biznes në pronësi të tyre janë edhe Vlora Dumoshi, ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Anton Quni, ministër i Mbrojtjes, Agim Veliu, ministër i punëve të Brendshme, ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, si dhe Skënder Reqica, ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale. As ministrat nga komunitetet, si: Goran Rakiq, ministër i Pushtetit Lokal, Dalivor Jevtiq,ministër për Komunitete dhe Kthim, dhe Enis Kervan, ministër i Zhvillimit Rajonal, ende asnjë nuk kanë deklaruar pasuritë e tyre në Agjencinë Kundër Korrupsion. /Buletini Ekonomik/