Transformimi i mikrofinancave në shoqëri aksionare kritikohet nga FMN-ja

Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) propozimi për t’i shndërruar Institucionet Mikrofinanciare (IMF) nga OJQ në shoqëri aksionare nuk ka qenë i suksesshëm dhe për me tepër ka shumë paqartësi ligjore rreth këtij procesi.

FMN në një raport të sapo publikuar mbi sistmein financiar në Kosovë e ka adresuar këtë cështje duke dhënë edhe kritika ndaj Bankës Qëndrore të Kosovës (BQK) dhe akterëve tjerë të përfshirë në proces.

“Projektligji i ri për IMF-të dhe IFJB-të nuk adreson çështjet e ngritura nga Gjykata Kushtetuese. Për më tepër, projektligji për IMF-të dhe IFJB-të nuk është në pajtueshmëri me ligjin për shoqëritë tregtare dhe ligjin që rregullon OJQ-të — ligji për shoqëritë tregtare ende ndalon ende OJQ-të të zotërojnë aksione në shoqëri aksionare ose shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, ndërsa ligji për OJQ-të është ndryshuar për të lejuar transferimin e aseteve ndërmjet OJQ-ve, por nuk ka adresuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Kjo çështje e tejzgjatur për statusin juridik të IMF-ve OJQ gjeneron paqartësi dhe rreziqe”, thuhet në raportin “Rishikimi i Stabilitetit të Sektorit Financiar”.

Reklama e sponzorizuar

Dhjetë nga 12 IMF, dhe 3 nga 4 IMF-të kryesore (që përbëjnë 90 për qind të pjesës së tregut) në Kosovë janë OJQ. Ndërsa statusi i OJQ-ve mund të ketë qenë një domosdoshmëri në ditët e para, sipas FMN-së ai gjithnjë e më shumë po bëhet pengesë për zhvillimin e sektorit mikrofinanciar. BQK-ja, industria e IMF-ve dhe Banka Botërore kanë avokuar për shndërrimin e IMF-ve OJQ në shoqëri aksionare për të mundësuar investime dhe zhvillime të reja.

Mirëpo, dispozitat ligjore të vitit 2012 (që parashihnin atë shndërrim) janë konstatuar nga Gjykata Kushtetuese se janë në kundërshtim me kushtetutën (pasi kjo do të transferonte kapitalin e OJQ-ve, sapo të ofrohej nga donatorët, në shoqëritë e reja private aksionare). /Buletini Ekonomik/