Kompania holandeze “Kivo”, që nga viti 2015 është edhe në Komunën e Kaçanikut në Kosovë. Kjo kompani është një nga prodhuesit më të mëdhenj të ambalazhimit fleksibil të plastifikuar në Evropë. Në Kosovë ky biznes ka të punësuar 130 punëtorë.
Pronari i kompanis “Kivo”, Robert Kwakman, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë tregon se ajo që e kishte tërhequr të investonte në Kosovë në fillim ishte fuqia e lirë punëtore, por pas përllogaritjeve që bëri, Kosova, thotë ai, ofron edhe shumë gjëra tjera për një investitor të huaj.
“Në vitin 2011 apo 2012, Visar Ramajli partneri ynë i sotëm, erdhi tek unë dhe më pyeti nëse unë doja të vizitoja Kosovën dhe nëse kisha pasur ide apo interesim për të investuar në Kosovë. Në fillim edhe unë isha pak paragjykues ndaj Kosovës, për shkak të gjërave të këqija që dëgjonim në lajme dhe i thashë ‘të lutem, jam i gatshëm të bisedojmë, por eja në Holandë’ dhe brenda dy ditësh ai ishte në Holandë”, thotë Kwakman. Shumë shpejt, ata filluan bashkëpunimin.
Në përllogaritjet që u bënë atëherë nga kompania, tregon Kwakman, Kosova ofronte edhe shumë përparësi tjera për të investuar: ishte niveli i lartë i papunësisë, por me shkollim të lartë.
Papunësia në Kosovë vazhdon të mbetet një nga problemet më të mëdha që e ka përcjellë shoqërinë kosovare viteve të fundit. Në tremujorin e parë të vitit 2020, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), shkalla e papunësisë është 25.0 për qind.
“Në Holandë nuk është e mundur, për shembull, të ketë njerëz me edukim të lartë që punojnë në një fabrikë, prandaj kjo është një përparësi e madhe në Kosovë. Gjithashtu edhe qasshmëria e njerëzve, nëse të duhen 20 persona në fabrikë, brenda një dite i ke njerëzit në dispozicion, ndërsa në Holandë ajo do të merrte më shumë se një vit, pra kjo është gjithashtu një përparësi e madhe. Për shembull, kur filluam riciklimin në Kosovë vitin e kaluar, na duheshin 100 njerëz dhe nëse themelojmë një kompani në Holandë dhe do të na duheshin 100 njerëz, mendoj se do të na kishte marrë mbi 5 vjet për t’i gjetur ata”, thotë ai.
Në raportin e fundit të Departamentit amerikan të Shtetit për Klimën e Investimeve në botë, thuhet se Kosova ka potencial për të tërhequr investime të huaja direkte, por ky potencial kufizohet nga dështimi për të adresuar disa çështje serioze.
Integrimi i kufizuar ekonomik rajonal dhe global, paqëndrueshmëria politike dhe ndërhyrja në ekonomi, korrupsioni, një furnizim jo i besueshëm i energjisë, një sektor i gjerë joformal, janë disa elemente të cekura në këtë raport që pengojnë ardhjen e investitorëve të huaj.
Investitori holandez, Kwakman, flet edhe për sfidat me të cilat përballet në Kosovë. Sipas tij, për të tërhequr sa më shumë investime të huaja, Kosova duhet të eliminojë procedurat burokratike dhe të krijojë një stabilitet politik.
“Ka shumë burokraci, për shembull për leje dhe administrimin e importit të produkteve, nuk ka tarifë për importim, por duhet të bëhet shumë administrim dhe kjo është mjaft intensive, por në të njëjtën kohë ne jemi mësuar me atë, por kjo mund të përmirësohet. Diçka tjetër është stabiliteti politik, edhe ajo mund të përmirësohet gjithashtu”, thotë ai, duke iu bërë thirrje edhe investitorëve të tjerë që të vinë të vizitojnë Kosovën.
Mospërfshirja e Kosovës në zonën evropiane të lëvizjes së lirë pa viza, po ashtu është një pengesë tjetër në të bërit biznes në Kosovë, thotë Kwakman.
“Liria e lëvizjes dhe është ende mjaft problem. Ne filluam një program arsimor, një lloj programi mes punëtorëve në Kosovë dhe punëtorëve në Holandë, kështu që ne u ofruam kolegëve të Kosovës në Holandë për tre muaj dhe i edukojmë ata në linja dhe ata marrin paga holandeze dhe pastaj ata kthehen, ata kthehen pas tre muajsh, dhe ata kanë më shumë përvojë kështu që është më mirë për të gjithë, por është një problem i madh për sigurimin e vizave”, thotë ai.
Ai thotë se nuk pajtohet që vendi prej nga ai vjen Holanda është një nga vendet që ishte kundër liberalizmit të vizave për Kosovën.
Raportet jo të mira mes Kosovës dhe Serbisë, thotë Kwakman, në aspektin ekonomik kanë sjellë probleme të mëdha.
Taksa doganore 100 për qind e vendosur nga Qeveria e Kosovës në vitin 2018 për produktet me origjinë nga Serbia, thotë ai, u krijoi probleme të mëdha bizneseve.
“Mendoj se është e rëndësishme të përmirësohet lidhja me Serbinë. E di që kjo është pjesë e ndjeshme, por mendoj se do të ishte mirë për bizneset. Vitin 2018, papritmas kishte një tarifë 100 për qind për importin e produkteve të prodhuara nga Serbia. Në atë kohë ne blinim kuti për t’i paketuar produktet tona dhe papritmas ishte 100 për qind më e shtrenjtë”, thotë ai.
Investimet e huaja, në rënie
Investimet e huaja në Kosovë ndër vite kanë shënuar rënie edhe sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës.
Në kuadër të llogarisë financiare, investimet e huaja në Kosovë shënuan rënie vjetore prej 16.3 për qind në vitin 2018 krahasuar me vitin 2017. Në vitin 2018 investimet e huaja arritën vlerën prej 213.7 milionë euro.
Derisa në vitin e kaluar kishte një rritje të investimeve. Kosova kishte mbyllur vitin 2019 me 265 milionë euro investime të huaja.
Sipas Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) Kosova ofron qasje të lirë në tregun e Bashkimit Evropian dhe shteteve anëtare të CEFTA-s. Zonat e lira ekonomike, sipas KIESA-s, ofrojnë parcela të gatshme për akomodim, qasje të lehtë në këtë hapësirë, rrymë, ujë, gaz, telefon dhe elemente tjera përcjellëse.
Po ashtu, mosha e mesatare e popullsisë 35 vjeç, theksohet si një element kyç për tërheqjen e investimeve të huaja në Kosovë. /rel/