Hulumtimi i Buletinit Ekonomik ka gjetur se Këshilli Kosovar për Raportim Financiar (KKRF) nuk është duke i ushtruar kompetencat e veta ligjore, sidomos tek pjesa e mbikëqyrjes. Në këtë institucion nuk ka asnjë inspektor, si dhe mungon në tërësi mbikëqyrja e auditorëve dhe kontabilistëve.
Agon Sinanaj
Më shumë se 60 mijë biznese aktive sa vlerësohet se janë në Kosovë, i dorëzojnë për çdo vit pasqyrat financiare dhe ato të auditimit në Këshillin Kosovar për Raportim Financiar (KKRF). Por, në zyrën e këtij institucioni punon një staf modest me kushte minimale të punës. E gjithë puna kryhet manualisht, pasi sistemi i procesimit të pasqyrave financiare nuk është i dixhitalizuar.
“Të gjitha raportet që i dorëzojnë bizneset, ne, një nga një e trajtojmë manualisht”, thotë në kushte anonimiteti një punëtor në këtë institucion.
KKRF-ja funksionon si divizion në kuadër të Ministrisë së Financave, mirëpo roli i tij është i një rëndësie tejet të madhe për ekonominë e vendit. Në bazë të Ligjit për për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim, KKRF-ja ka mandat ta mbikëqyrë raportimin financiar të bizneseve në Kosovë, si dhe të mbikëqyrë punën e auditorëve dhe kontabilistëve.
Hulumtimi i Buletinit Ekonomik ka gjetur se KKRF-ja nuk është duke i ushtruar kompetencat e veta që dalin nga ky ligj, sidomos tek pjesa e mbikëqyrjes. Në këtë institucion nuk ka asnjë inspektor, si dhe mungon në tërësi mbikëqyrja e auditorëve dhe kontabilistëve.
“Krejt çka bën KKRF është procesimi manual i raporteve të dorëzuara nga bizneset”, thotë ky punëtor.
Në nenin 23 të Ligjit për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim, thuhet se për zbatimin e dispozitave të këtij Ligji, KKRF-ja mund të themelojë edhe komision për hetime dhe disiplinë.
Buletini Ekonomik ka dërguar pyetje në KKRF për të ditur se sa komisione të tilla janë krijuar në periudhën gjatë vitit 2019 dhe Janar-Korrik 2020, dhe cilat kanë qenë gjetjet dhe masat që janë marrë nga inspektimet e kryera tek bizneset.
Në KKRF nuk kanë treguar se a kanë kryer ndonjëherë inspektime tek bizneset. Në ueb faqe nuk ndodhet asnjë raport që dëshmon mbi ndonjë kontrollë. Përgjigjet nga ky institucion janë përgjithësuese dhe sqarojnë vetëm pjesën e afateve.
Ndërsa, në nenin 24 të Ligjit, pika 2, thuhet se “KKRF-ja themelon Bordin për Mbikëqyrje Publike i cili funksionon si krah ekzekutiv i KKRF-së”. Bordi sipas këtij ligji, ka kompetenca që t’i kryejë të gjitha “inspektimet e kontrollit” tek bizneset por edhe ta mbikëqyrë punën e auditorëve dhe kontabilistëve.
Nga hulumtimi del se mungon në tërësi edhe kontrolli mbi punën e auditorëve dhe kontabilistëve. KKRF-ja është e obliguar që për çdo vit të publikojë listën e auditorëve dhe kontabilistëve në bazë të performancës së tyre. Por, kjo listë nuk është publikuar asnjëherë. Aty ndodhen vetëm listat me rastin e licencimit.
Aktualisht në Kosovë ekzistojnë tri shoqata për licencimin e auditorëve dhe kontabilistëve: Shoqata e Kontabilistëve të Çertifikuar dhe Auditorëve të Kosovës (SHKÇAK), Instituti për Kontabilitet, Auditim dhe Financa (IKAF) dhe Instituti AAB për Kontabilist dhe Auditor të Çertifikuar (IAAB).
Gati gjysma e bizneseve të mëdha keq me pasqyrat financiare
Bizneset në Kosovë janë të obliguara që pasqyrat financiare të konsoliduara që auditohen në pajtim me Standardet Ndërkombëtare të Auditimit, t’i dorëzojnë në KKRF jo më vonë se me datën 30 qershor të vitit vijues.
Në bazë të Ligjit për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim, në Kosovë janë katër kategori të ndërmarrjeve: mikro-ndërmarrjet, ndërmarrjet e vogla, ndërmarrjet e mesme dhe ndërmarrjet e mëdha. Derisa tri kategoritë e para në KKRF dorëzojnë vetëm pasqyrat finaciare, bizneset e mëdha janë të obliguara t’i dorëzojnë edhe raportet e auditimit. Janë rreth 500 biznese që konsiderohen të mëdha, pasi kanë një qarkullim neto prej dyzet milionë eurove dhe numri i të punësuarve është 250 sosh.
Në KKRF nuk kanë qenë në gjendje të tregojnë se si qëndrojnë bizneset në Kosovë sa i përket pasqyrave financiare. Pra, mungon një studim gjithëpërfshirës rreth “shëndetit” financiar të tyre. E në KRFF janë arsyetuar me situatën me pandeminë.
“Pas përfundimit të procesimit të raporteve financiare, do ju njoftojmë me treguesit financiar mikro dhe makro ekonomik”, thuhet në përgjigjet e KKRF-së.
Studimi i fundit është i vitit 2018, por që përfshin analizën vetëm për ndërmarrjet e mëdha. Aty thuhet se rreth 60 për qind të ndërmarrjeve të mëdha në Kosovë kanë pasur pasqyra financiare, të cilat kanë qenë plotësisht në pajtueshmëri me standardet, ndërsa 40 për qind kanë dalë keq me pasqyra financiare.
Në këtë studim jipen edhe disa nga problemet më të mëdha që i kanë bizneset sa i përket “shëndetit” financiar.
“Sa i përket kategorisë së opinioneve të kualifikuara, duhet theksuar që arsyet më të shpeshta që kanë shpirë në kualifikim kanë qenë: (i) mosprezenca në numërimin e stoqeve, (ii) vlerësimi i patundshmërive, impianteve dhe pajimeve, (iii) mosprovizionimi i llogarive të arkëtueshme, (iv) detyrimet akruale, (v) tatimi i shtyrë, etj.”, thuhet në Raportin Vjetor për Raportim të Pasqyrave Financiare, të vitit 2018.
“Mungesa e kontrollit institucional”
Njohësit e kësaj fushe thonë se për dallim nga ligji paraprak, ligji aktual në fuqi mbi raportimin financiar rregullon dukshëm më mirë procesin e
raportimit financiar dhe auditimin e pasqyrave financiare. Çështjet që ia vlenë të theksohen e që dalin nga ligji i ri janë certifikimi i pasqyrave financiare nga një kontabilist i certifikuar, si dhe rishikimi i pasqyrave financiare nga auditori.
Mirëpo, sipas Bujar Kasniqit, Drejtor Ekzekutiv në Institutin IKAF, problem më i madh është se “çështja e kontabilitetit dhe auditimit nga
bizneset në Kosovë më shumë trajtohet si respektim i kërkesave ligjore eventuale që mund të jenë, se sa vlera përmbajtjësore që përmban ky profesion”.
“Mungesa e kontrollit insitutucional” është një problem tjetër.
“Sipas vlerësimit tim, është kombinim i të dy çështjeve, pra mungesa e vetëdijësimit të plotë të bizneseve për rolin përmbajtjesor të kontabilitetit dhe auditimit, dhe funksionimi jo në nivelin e duhur i kontrolleve nga Institucionet nuk përjashtojnë njëra tjetrën”, thotë ai.
Ndërkaq, Bezad Halilaj, auditor, thotë se edhe më tutje ekziston një tendencë e bizneseve në Kosovë që t’i përshtatin pasqyrat financiare varësisht nga qëllimi pse përgatiten ato.
“P.sh., nëse pasqyrat përgatiten për qëllime tatimore mund të ketë tendencë për reduktim apo nënvlerësim të të hyrave, ndërkohë që po të përgatiten për qëllime kredimarrje apo përfitim financimi ato mund të mbivlerësohen për të krijuar përshtypje se performanca e biznesit është e mirë”, thotë Halilaj.
Kur janë në pyetje problemet me pasqyra financiare me të cilat ballafaqohen bizneset, Halilaj ka përmendur disa, por më kryesoret sipas tij, kanë të bëjnë me mospërputhjet me standardet ndërkombëtare për kontabilitet dhe raportim financiar.
“Hezitimi dhe neglizhenca për të raportuar transaksionet e ndjeshme, në veçanti ato që kanë efekt në publik, problemet me shpenzimet, të hyrat, stoqet, pasuritë, llogaritë e arketueshme apo detyrimet e pa paguara, si dhe mos zbatim të rekomandimeve të auditorit në lidhje me pasqyrat financiare”, vlerëson ai.
Ai thotë se përderisa në pjesën rregullative janë bërë hapa të rëndësishëm, pjesa e mbikëqyrjes lë shumë për të dëshiruar. Sidomos tek kompetencat që lidhen me Këshillin e Kosovës për Raportim Financiar. Ky Këshill ka dy role kryesore, për të rregulluar funksionimin e raportimit financiar dhe auditimit dhe për të mbikëqyrur zbatimin e rregullativës dhe standardeve profesionale përkatëse.
“Mungesa e mbikëqyrjes së punës së kontabilistëve dhe auditorëve është duke mundësuar që në raste jo të rralla cilësia e shërbimeve të jetë e dobët dhe të mos përmbushë qëllimet për çfarë ofrohen”, vlerëson Halilaj.
Bizneset nuk po e kuptojnë rëndësinë e auditorëve dhe kontabilistëve
Nga ana tjetër, Bujar Krasniqi nga IKAF, thotë se roli i kontabilistit profesional dhe auditorit është tejet i rëndësishëm për faktin se ngrit dukshëm nivelin e besueshmërisë së raportimit financiar tek palët e treta, rrjedhimisht krijon qasje më të lehtë në burimet e financimit.
Mirëpo, sipas tij në Kosovë rëndësia e kontabilistit dhe auditorit më shumë është pjesë e kërkesave ligjore se sa vetë-kuptueshmëri e biznesit.
“Ekziston mungesë e vetëdijësimit të plotë të bizneseve për rolin përmbajtjesor të kontabilitetit dhe auditimit”, vlerëson Krasniqi.
Sipas auditorit Bezad Halilaj, rëndësia e angazhimit të kontabilistëve dhe auditorëve nga ana e bizneseve është e shumëfishtë.
“Në rend të parë, kontabilisti ndihmon biznesin që të mund të kontrolloj dhe menaxhoj me lehtë dhe më mirë paranë e tij të investuar duke bërë, evidentime të qarta, barazime dhe harmonizime të sakta përmes së cilave në vazhdimësi e informon Menaxhmentin, por në veqanti pronarin në lidhje me paranë dhe pasurinë e tij. Gjithashtu, ndihmon në identifikimin e rreziqeve të ndryshme në lidhje me aspektet financiare që mund ta rrezikojnë biznesin”.
Në anën tjetër, sipas Halilajt, kontabilisti ndihmon në raportimin financiar të biznesit, ndërkohë që raportimi i drejtë financiar siguron transparencë dhe llogaridhënie në lidhje me menaxhimin e fondeve, të hyrave, pasurive, detyrimeve dhe kategorive tjera të pasqyrave financiare.
Ndërsa, angazhimi i Auditorit, siguron cilësi të raportimit financiar, i ndihmon pronarët duke iu dhënë siguri se paraja e tyre është duke u shpenzuar si duhet dhe pasuria është duke u përdorur dhe menaxhuar mirë.
“Në kontekst të përfitimeve publike, angazhimi i kontabilistëve dhe auditorëve e rrit nivelin e përmbushjes së detyrimeve tatimore, ndikon në parandalimin shmangieve dhe evazionit fiskal si dhe të mundësive për mashtrime dhe parregullsi karshi kërkesave ligjore, etj. Gjithashtu, pasqyrat financiare cilësore, të bazuara në standarde rrisin nivelin e llogaridhënies dhe transparencës në lidhje me përdorimin dhe menaxhimin e fondeve publike. Auditorët dhe Kontabilistët e pavarur dhe profesionistë mund të ndihmojnë në parandalimin e korrupcionit dhe pastrimit të parave”. /Buletini Ekonomik/