Qeveria e Kosovës ka vazhduar edhe gjatë vitit 2019, t’u japë paga 215 punëtorëve nga komuniteti serb pa dalë fare në punë. Sipas Auditorit të Përgjithshëm, kjo bëri që buxheti i shtetit të dëmtohet në vlerë prej 1 milionë e 21 mijë euro, përcjell Buletini Ekonomik.
Mirjeta Shabani
Tetë ministri të Qeverisë së Kosovës kanë shpenzuar gjatë vitit 2019, mbi 1 milionë euro për pagat e punonjësve, që nuk kishin punuar as edhe një ditë të vetme. Edhe pse nuk dolën në punë, 215 punëtorë që vijnë nga komuniteti serb, i morën pagat me rregull nga buxheti i Kosovës, ndonëse ishin paga të parregullta.
Buletini Ekonomik ka hulumtuar të gjitha raportet e Auditorit të Përgjithshëm, për ministritë në të cilat ka qenë i pranishëm ky problem gjatë vitit 2019.
Punësimi i tyre derivon prej marrëveshjes së Brukselit dhe vendimit të Qeverisë në vitin 2016, për shuarjen e së ashtuquajturës “Mbrojtje civile”, në veriun e Mitrovicës, duke i pozicionuar zyrtarët serbë nëpër pozita të caktuara nëpër ministri të ndryshme të vendit.
Zyra Kombëtare e Auditimit, në auditimin e saj për vitin 2019, në tetë ministri, gjeti paga të parregullta dhe pavijueshmëri në punë.
Kështu në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, pas një procesi të rekrutimit me akt emërime ishin integruar 32 punonjës të komunitetit serb, të cilët ishin planifikuar të sistemohen nëpër komunat në pjesën veriore të Kosovës.
Për zyrtarët e lartcekur kjo ministri, nuk ka pasur dëshmi për ta konfirmuar paraqitjen e tyre në vendin e punës, edhe pse e njëjta kishte bërë pagesën e rregullt të pagave të tyre. Vlera financiare për shpenzimet e pagave për vitin 2019, për këta 32 zyrtarë ishte 134 mijë e 657 euro. E njëjta shumë e pagesave nga MASHT kishte qenë edhe në vitin 2018. Pra, 32 punonjës të kësaj ministrie kanë marrë paga pa kryer asnjë shërbim për vite me radhë.
Shpenzime për paga në vlerë prej 100 mijë e 582 eurosh, për 20 punëtorë të tjerë të cilët nuk kanë vijuar orarin e rregullt të punës ishin hasur edhe në Ministrinë e Administratës Publike.
Gjithashtu, edhe Ministria për Kthim dhe Komunitete kishte integruar gjithashtu 21 nëpunës të këtij komuniteti, duke paguar për ta vlerën prej 98 mijë e 362 eurove edhe pse të njëjtit nuk kishin kryer shërbimet ndaj kësaj ministrie të përcaktuara në kontratat e tyre.
Shpenzime për paga në vlerë prej 124, mijë e 874 eurosh, kishte bërë edhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dedikuar 25 punonjësve të saj, të cilët nuk kishin vijuar orarin e rregullt të punës në këtë ministri.
Paga të parregullta gjatë vitit 2019, kishte bërë edhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, duke paguar gjithsej 36 nëpunës të komunitetit serb. Auditori i Përgjithshëm ka vërejtur se për zyrtarët e lartcekur, ministria nuk ka pasur dëshmi për ta konfirmuar paraqitjen e tyre në vendin e punës, përkundër faktit se kjo ministri kishte bërë pagesat e rregullta për ta në vlerë prej 163 mijë e 198 eurosh.
Pagat me pavijueshmëri në punë kanë vazhduar edhe në Ministrinë e Infrastrukturës, ku pas një procesi të rekrutimit kjo ministri kishte integruar 32 nëpunës serbë, në pozita të caktuara. Por, ministria në fjalë nuk ka poseduar kurrfarë dëshmie që konfirmon paraqitjen e tyre në punë apo kryerjen e ndonjë prej përgjegjësive të tyre sipas kontratës së punës, megjithëse në të njëjtën kohë ka paguar për ta gjithsej 156 mijë e 151 euro.
Edhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka qenë e obliguar t’i punësoj 18 punëtorë të komunitetit serbë, por ka qenë e obliguar gjithashtu edhe të sigurohet se po përfillet orari i punës nga këta zyrtarë. Por as kjo ministri nuk ka pasur dëshmi për realizimin e punëve në përputhje me detyrat dhe përgjegjësitë e këtyre punëtorëve të përshkruara në kontratë, ndërsa për pagat e tyre janë paguar nga buxheti i kësaj ministrie 92 mijë e 708 euro.
Po ashtu, kësaj shkeljeje nuk i ka shpëtuar as Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, e cila kishte pozicionuar në departamente të ndryshme të saj, 31 pjesëtarë të strukturave ilegale, duke dëmtuar buxhetin e saj me vlerën e 150 mijë e 789 eurove.
Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, kjo gjendje ka ardhur si rezultat i mosrespektimit të kontratës nga ana e punonjësve dhe gjithashtu edhe nga përpjekja e pamjaftueshme e ministrive përkatëse për t’i angazhuar ata.
Në bazë të rekomandimeve të Auditorit kundrejt ministrive përkatëse, vetëm tri ministri kanë ndërmarrë veprime konkrete nga vitet e mëparshme. Ministria e Shëndetësisë, ajo e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal kanë marrë veprimet e duhura për shmangien e këtij problemi, ndërsa në tetë ministritë e përmendura më lartë çështja ka mbetur e pazgjidhur dhe vazhdon të përsëritet vit pas viti.
“Nuk janë zbatuar kontrolle menaxheriale për të siguruar se të gjithë të punësuarit janë të pranishëm në vendin e punës gjatë orarit të punës si dhe arsyeve tjera, duke përfshirë edhe rrethanat politike”.
Auditori konstaton se këto pagesa pa vijueshmëri në të gjitha ministritë shkakton dëmtimin e buxhetit të shtetit si dhe shkakton mos arritjen e objektivave të përcaktuara me marrëveshje, pra integrimin e këtij komuniteti në sistemet e institucioneve të Republikës së Kosovës.
Auditori i Përgjithshëm iu rekomandon të gjithë ministrave që të shqyrtojnë arsyet e mos vijimit në punë të këtyre punëtorëve, si dhe të zgjidhin problemin e angazhimit të tyre të rregullt në punë. Në të kundërtën kërkon t’i ndërpresin pagesat e pagave të parregullta. /Buletini Ekonomik/