Vendimi i sotëm i kompanisë së Blerim Devollit që të bllokojë llogaritë bankare të Telekomit, ka habitur drejtuesit e Telekomit, Sindikatën dhe Qeverinë e Kosovës. Kjo për faktin se jaën e kaluar përfaqësuesit e Kompanisë “Devolli” dhe Qeveria e Kosovës, ishin dakorduar në parim për mënyrën e shlyerjes së borxhit, që Telekomi ia ka ZMobile.
Burime të Gazetës Blic japin detaje për “dakordimin” që ishte arritur javën e kaluar.
“Në takimin e fundit ndërmjet Qeverisë dhe përfaqësuesve të Kompanisë Devolli, ishin pajtuar që ekzekutivi të garantoj për Telekomin, për marrjen e një kredie, përmes së cilës do të shlyhej borxhi mbi 20 milionë”, tha ky burim.
Zyrtarisht as nga Telekomi e as nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik kanë dhënë detaje për këtë “marrëveshje në parim”.
I vetmi që ka pranuar të flas zyrtarisht, është kryesindikalisti i Telekomit, Lamih Balaj, i cili tha se janë bllokuar llogaritë bankare dhe se ky është presion i Devollëve mbi Telekomin.
“Po, tash sa e kuptova edhe unë që na janë bllokuar llogaritë”, tha ai.“I ka thanë dikush që I kemi 2.5 milionë euro në llogari edhe i kan blloku”, deklaroi Balaj, derisa shtoi se mund të ketë marrëveshje ndërmjet Qeverisë e Devollit për këtë borxh.
Ai e ka konfirmuar se ka pasur disa takime, e që sipas tij, marrëveshja mund të arrihet shpejt, ndonëse tha që nuk i ka informatat e sakta, për shkak se nuk është pjesë e takimeve.Balaj ka paralajmëruar se nuk do të lejojnë “Devollin” që në vazhdimësi t’ua bllokoj llogaritë bankare, duke mos i përjashtuar as protestat e grevat.
Ai ka bërë të ditur për Gazeta Blic se i janë drejtuar përmes një shkrese edhe kryeministit të vendit, Avdullah Hoti ku i kanë kërkuar që të ndërpriten kontratat e dëmshme dhe “dallaveret” Brenda Telekomit.