Ajo që është e imja, është edhe e jotja; Ekonomia e ndarjes duhet të ndryshojë

Por kjo do ta ndihmojë atë t’i mbijetojë pandemisë dhe të lulëzojë më pas

“Mendova se kishim marrë fund”. Emmanuel Bamfo, shefi i Globe, një startup prej gjashtë personash, e themeluar një vit më parë, nisi të mendonte se çfarë pune tjetër do të bënte kur goditi koronavirusi në mars. Firma e tij operonte si një Airbnb afatshkurtër: aplikacioni i saj i lejonte njerëzit të merrnin me qira shtëpitë ose një pjesë të tyre, si dhoma gjumi ose banjo, për disa orë. Ky propozim u bë jo tërheqës gjatë pandemisë.

Por zoti Bamfo e përshtati shpejt shërbimin e tij, shkruan The Economist. Tani përdoruesit e aplikacionit mund të blejnë banesa bosh që në rrethana normale do të merreshin me qira për periudha më të gjata, në sitet e tjera. Kushton nga 25 deri në 125 dollarë në orë për të marrë me qira një apartament në San Francisko, duke ofruar një arratisje për ata që duan të punojnë për njëfarë kohe pa fëmijët nëpër këmbë, ose që kanë nevojë për një ndryshim ambienti.

Reklama e sponzorizuar

Kërkesa duket e lartë, megjithëse nuk mund të thuhet e njëjta gjë për ofertën. Aplikacioni i kompanisë tregon një listë pritjeje në të gjithë botën prej më shumë se 113,000 vetash (firma duhet të kontrollojë identitetin e qiradhënësve të mundshëm) dhe pretendon se ka vetëm 10,000 ofrues.

Suksesi i Globe mbetet i pasigurt. Zyrtarët në San Francisko i shkruan kompanisë, duke pretenduar se shërbimi i saj shkel rregullat e strehimit të qytetit. Por suksesi i hershëm i Globe, pas përshtatjes, tregon se parashikimet e një shkatërrimi të “ekonomisë së ndarjes” (sharing economy) për shkak të Covid-19, mund të rezultojnë të ekzagjeruara. Në vend që t’i japë fund, virusi po e detyron sektorin të rikrijojë veten. Kjo madje mund të përfshijë një rikthim në rrënjët e tij socialiste.

Recesioni i Madh pas krizës financiare të periudhës 2007-2009 ndikoi shumë në shtysën ideologjike për të përdorur teknologjinë në shërbim të ndërtimit të një ekonomie ku konsumi do të ishte më social, i kursyer dhe më i qëndrueshëm. Ideja ishte që në vend që të zotërojnë gjëra, njerëzit duhet të ndajnë qasjen ndaj tyre, duke përdorur aplikacione dhe shërbime të tjera online. “Unë nuk dua gjëra, dua… përvojat që plotëson”, tha Rachel Botsman, një nga kampionet e këtij trendi.

Ndarja e shërbimeve midis njerëzve për të shkëmbyer gjëra, nga librat dhe CD-të deri te mjetet e energjisë dhe makinat, nuk lulëzoi asnjëherë. Shumica e këtyre bizneseve nuk mblidhnin para të mjaftueshme për të mbajtur veten. Por ata i hapën rrugën një tjetër lloji ekonomie të ndarjes që kërkon fitimin e parave, duke krijuar vende tregu online që të përputhen me ofertën dhe kërkesën. Startup-et e këtij lloji, mund të “shkallëzohen” në biznese të mëdha globale. Një madhësi e tillë premton fitime të mëdha, duke tërhequr një sasi të madhe kapitali të sipërmarrjes.

Ekonomia e re e ndarjes

Airbnb, Uber dhe Bird ishin përfaqësuesit e ekonomisë së re të ndarjes. Së bashku, ofruesit më të mëdhenj të qirave në botë, udhëtimeve me taksi dhe e-skuterëve, mblodhën përkatësisht mbi 30 miliardë dollarë fonde dhe vlerësimet e tyre u shtuan më shumë se 100 miliardë dollarë gjatë periudhës së kulmit. Airbnb dhe Uber në një kohë pritej të nxirrnin disa nga listat më fitimprurëse publike të startup-eve të teknologjisë. Megjithatë, edhe para se të godiste virusi, yjet e ekonomisë së përbashkët kishin filluar të humbnin shkëlqimin e tyre.

Fitimi i parave doli më i vështirë sesa pritej. Udhëtimet e Uber kërkonin subvencione të rënda. Mirëmbajtja e një flote e-skuterësh doli më e kushtueshme se sa e kishte imagjinuar Bird. Me kapitalin e sipërmarrjes, këto kompani kaluan edhe në tregje të tjera. Uber u përpoq të zhvillonte makina autonome dhe të shpërndante ushqime. Airbnb konsideroi prodhimin e programeve televizive, si dhe drejtimin e hoteleve.

Në kohën kur Uber doli me ofertë publike në maj të vitit të kaluar, ai kishte humbur një total prej 16.6 miliardë dollarësh në periudhën 2016 deri në 2019. Kompania thoshte se do të humbiste më shumë para përpara se të niste fitimi, një arsye e madhe pse oferta e saj fillestare publike nuk ishte aq e suksesshme sa ç’ishte parashikuar.
Edhe Airbnb, i cili me modelin e biznesit për marrjen e uljeve të tarifave të qirasë, kishte arritur fitime për ca kohë, filloi të humbasë para – 322 milionë dollarë në nëntë muajt e vitit 2019. Pandemia i ka ndërprerë planet e kompanisë për një flotacion, që pritej të zhvillohej në prill ose në maj.

Përfitimi me theks në uljen e kostove u lakua si strategji kur pandemia thuajse i ndali fare bizneset. Airbnb u përball me 1 milion anulime dhe 1 miliard vlerë në rimbursime. Numri i udhëtimeve me Uber është ulur me deri në 80% në prill në krahasim me një vit më parë. Bird, që përjetoi një goditje të ngjashme, reagoi në fund të marsit duke pushuar mbi 400 punonjës, një e treta e forcës punëtore të kompanisë.

Edhe Airbnb ndoqi shembullin në fillim të majit, duke shkarkuar 1.900 punonjës, një e katërta e forcës së saj të punës. Uber gjithashtu shkarkoi një të katërtën e stafit, rreth 6.700 punëtorë. Lyft, rival i tij kryesor në Amerikë, bëri shkurtime që ishin vetëm paksa më të buta.

Pastrimi

Përveç pushimeve nga puna, këto kompani po përpiqen të rifillojnë bizneset e tyre për të rikthyer besimin e klientëve. Rritja e pastërtisë është fokusi kryesor. Airbnb i këshillon qiradhënësit se si të pastrojnë dhomat dhe ka prezantuar një periudhë boshllëku 24-orëshe midis prenotimeve. (Nuk është e detyrueshme, por mysafirët do të jenë në gjendje të shohin online se cilët qiradhënëse po e ndjekin atë.) Skuterat e Bird bëjnë një “banjë” të rregullt. Uber po kontrollon nëse shoferët veshin maska duke i detyruar ata të bëjnë një selfie (aplikacioni i kompanisë mund të zbulojë automatikisht nëse ata po a mbajnë maskën).

Firmat gjithashtu e kanë përdorur krizën si një mundësi “për t’iu rikthyer gjërave elementare”, sipas fjalëve të
Brian Chesky, shefit të Airbnb. Firma e tij tani është përqendruar tek qiradhënësit që japin me qira shtëpitë e tyre private sesa ato profesionale me disa prona, që kishin qenë një pjesë në rritje e biznesit të firmës. Uber ka hedhur poshtë disa biznese, përfshirë një kartë krediti të planifikuar për shoferët dhe shërbimin e biçikletave. Ai dëshiron të përqendrohet në të qenët një kompani që “lëviz njerëzit dhe gjërat në qytete”, tha Dara Khosrowshahi, shefi ekzekutive.

Si do jetë rimëkëmbja

Pyetja e madhe është nëse të qenët më i pastër dhe elastik do të jetë e mjaftueshme që këto kompani të rimëkëmben kur të hiqen bllokimet ose nëse “ekonomia e izolimit” do t’i ndryshojë zakonet në një masë që ndarja do të shtyhet edhe më tej. A është e destinuar pronësia për një rikthim?

Të tria kompanitë presin që kërkesa të rritet sërish, por në vende të ndryshme dhe për arsye të ndryshme. Zoti Chesky parashikon që në vend që të kryejnë udhëtime të shkurtra në qytetet më të mëdha të botës, njerëzit do të qëndrojnë më pranë shtëpisë për një kohë më të gjatë. Kohëzgjatja mesatare e qëndrimit në një Airbnb gati është dyfishuar, në një javë.

Pjesa e rezervimeve të brendshme e ka kaluar rritjen dyfishe, në mbi 80%, dhe qëndrimet më pak se 200 milje (320 km) larg shtëpisë, që dikur zinin 33% të prenotimeve, tani përbëjnë 56%. Zoti Chesky gjithashtu pret që të përfitojnë nëse puna nga shtëpia mbetet e përhapur, duke i lejuar njerëzit të zhvendosen për njëfarë kohe. “Shumë njerëz thonë: ‘Epo, në këtë rast, mbase nuk kam nevojë të jetoj në qytet tani’”.

Uber dhe Bird presin një zhvendosje nga transporti publik drejt makinave dhe skuterëve. Njerëzit mund të kenë merak që të marrin autobusët dhe trenat – nëse janë në dispozicion, duke pasur parasysh kufizimet e ardhshme të buxhetit në shumë qytete. Tashmë ka disa prova për këtë. Udhëtimet me skuterat e Bird tani janë mesatarisht 50% më të gjatë se përpara pandemisë.

Uber gjithashtu synon të gëlltisë konkurrentët. Pavarësisht se ka hequr dorë nga biçikletat elektronike, ai ka investuar në Lime, rivali më i madh i Bird për skuterët. Uber gjithashtu dëshiron të blejë Grubhub për të rritur biznesin ekzistues të shpërndarjes së ushqimit që shpreson se do të lulëzojë. “Në kohëra të vështira, konsolidimi ka kuptim”, thotë zoti Khosrowshahi, i cili shkëlqeu në këtë detyrë gjatë punës së tij të mëparshme si shefi i Expedia, një sit udhëtimesh online që i mposhti rivalët.

Kompanitë e vogla të ekonomisë së ndarjes janë çuditërisht optimiste. Në vendet që tashmë kanë hequr disa masa kufizuese, siç është Gjermania, aktiviteti u rrit shpejt sërish, raporton Nicolas Brusson, i cili drejton BlaBlaCar, që ofron ndarje udhëtimi me distanca të gjata në 22 vende. Sipas tij, recesioni i koronavirusit, do të rrisë më tej kërkesën për udhëtime të lira. Pandemia gjithashtu e ka detyruar kompaninë e tij “t’i shikojë asetet e saj në mënyra të reja”, thotë ai. Në të ardhmen, ajo dëshiron të ofrojë më shumë shërbime për komunitetin e shoferëve dhe motoçiklistëve. Tashmë ajo ka zhvilluar një aplikacion të ri, të quajtur BlaBlaHelp, i cili u mundëson njerëzve t’u kërkojnë të tjerëve për t’i kryer pazaret e ushqimeve.

Nëse ekziston një shembull që na tregon se si pandemia mund ta shtyjë ekonominë e ndarjes drejt rrënjëve të saj, është Olio. I motivuar nga një mision për reduktimin e mbeturinave ushqimore, ky shërbim me qendër në Londër, u lejon përdoruesve të ndajnë me fqinjët artikuj ushqimorë dhe sende të tjera, për të cilat nuk kanë më nevojë. “Ne së pari patëm një moment paniku: a mund të vazhdojë të ekzistojë një aplikacion për ndarjen midis fqinjëve?” shpjegon Tessa Clark, e cila drejton firmën. Por pas ndryshimit të shërbimit në një metodë pa kontakt, ndarja u rrit me rreth 50% për ushqimet dhe 200% për gjëra të tjera.

Kompanitë që mbështeten në aktivitete që ekzistonin para internetit, siç është ndarja e ushqimit me fqinjët, do të përparojnë më mirë pas krizës sesa tregjet online që janë krijime artificiale të reja, parashikon Sonali De Rycker, një partnere në degën europiane të Accel, një kompani për sipërmarrje kapitali, e cila ka investuar si në BlaBlaCar, ashtu edhe në Olio. Sipas saj, pas pandemisë, konsumatorët do të jenë edhe më të interesuar të kursejnë para ose të bëjnë para duke dhënë me qira. Prisni që më shumë nga gjërat tuaja të jenë të miat dhe të miat të jenë tuajat, edhe në kushtet e tanishme kur duhet të pastrohen me themel.