Frika nga pandemia: Kosovarët po i kursejnë paratë në banka

Frika nga kriza e mundshme financiare si pasojë e pandemisë Covid-19 ka shtyrë familjet kosovare që t’i rrisin kursimet e tyre. E si vendin më të besueshëm për të mirat e tyre financiare ata po i shohin bankat komerciale në vend.

Kursimet e qytetarëve, bizneseve dhe institucioneve tjera nëpër banka tashmë kanë arritur një shifër rekord këtë vit.

Gjithsej 4.02 miliardë euro është vlera aktuale e parave të depozituara në institucionet bankare në vend nga kosovarët.

Reklama e sponzorizuar

Sipas të dhënave të fundit të raportuara nga Banka Qendrore e Kosovës që përfshijnë periudhën nga viti 2000 deri më 1 gusht 2020, niveli i depozitave tashmë ka kaluar vlerën prej 4 miliardë eurosh, vlerë kjo e cila shquhet si vlera më e lartë historike për depozita që nga themelimi i sistemit bankar në Kosovë.

Megjithatë, në kontekst të strukturës, akoma rreth 60 për qind e depozitave janë depozita pa afat, 27 për qind janë depozita me afat dhe vetëm 13 për qind janë depozita të kursimit, përcjell Buletini Ekonomik.

Përveç depozitave, edhe kreditimi bankar në Kosovë këtë vit ka shënuar një rimëkëmbje të plotë, sektor ky që arriti nivelet e kreditimit të periudhës së njëjtë të vitit të kaluar, duke mos ndjerë kështu pothuajse fare pasojat e krizës pandemike.

Kreditë e reja të lëshuara nga bankat vetëm gjatë muajit korrik 2020 kishin arritur vlerën prej 145.0 milionë euro që paraqet vlerë shumë të përafërt me kreditimin e një viti më parë (146.2 milionë euro në korrik 2019) apo edhe duke e tejkaluar mesataren e kreditimit gjatë periudhës korrik 2015 – korrik 2019 (110.1 milionë euro), thonë nga BQK-ja.

“Rimëkëmbja e kreditimit është reprezentative edhe sa i përket sektorëve, ku rreth 60% e kredive iu janë dhënë bizneseve”, thuhet në një nga vlerësimet e fundit të BQK-së rreth sektorit bankar në Kosovë.

Që prej vitit 2000, rritja e depozitave në sistem kishte shkuar gjithmonë duke u rritur vit pas viti. Nga vetëm 0.09 apo rreth 900 mijë euro që ishin të pasqyruara si depozita në vitin 2000, më 2010, për 10 vite, ato kishin aritur të shumohen në 1.94 miliardë euro. E prej 2010-s, kursimet e kosovarëve kishin marr hov pa ndalur, duke bërë kështu që më 2020 të arrihej edhe rekordi i tyre prej mbi 4 miliardëve.

Ndryshe, duke iu referuar studimeve të ngjashme, një sjellje e tillë konsumatore e individëve për të rritur kursimet në kohën e Covid-19 po vërehet edhe në shumicën e vendeve të Rajonit dhe të Bashkimit Europian, ani pse për Kosovë ende nuk ka ndonjë analizë të këtij lloji, nëse janë rritur depozitat shkaku i pandemisë apo jo. Por, në vendet e BE-së, rritja e kursimeve gjatë tremujorit të parë të vitit 2020 ishte më e larta në 20 vitet e fundit. (Mirjeta Shabani)/Buletini Ekonomik/