“Trend i rënies së investimeve nga diaspora në sektorë të ndryshëm”

Berat Thaqi, hulumtues në Institutin GAP, ka thënë se ka një trend të rënies së investimeve nga diaspora në sektorë të ndryshëm shkaku i pandemisë së koronavirusit.

Ai në Interaktiv të KTV-së ka thënë se derisa remitencat janë rritur gjatë kësaj periudhe, mërgimtarët nuk kanë qenë në gjendje të vijnë në Kosovë siç vijnë zakonisht dhe po ashtu nuk kanë shpenzuar në blerje të pronave siç kanë bërë viteve të kaluara.

“Ne si Institut e kemi parë të nevojshme ta bëjmë një analizë për ndikimin e diasporës në ekonomi të Kosovës gjatë pandemisë. Kjo çështja e remitencave ka marrë më shumë vëmendje te publiku, por janë lloje të shpenzimeve tjera apo investimeve nga diaspora që janë tepër me rëndësi për ekonominë e Kosovës”, ka thënë Thaqi. “Si shembull ata gjatë vizitave të tyre, e kemi vlerësuar se para pandemisë diku rreth 4.6 për qind të bruto produktit vendor shpenzojnë kur vijnë në Kosovë. Çfarë kemi parë është se vizitat nga jashtë qoftë përmes transportit ajror apo tokësor kanë rënë rreth 60 për qind dhe në një kalkulim të përafërt mund të përkthehet rreth 300 milionë euro humbje të hyrave për ekonominë e Kosovës me një ndikim veçanërisht negativ në disa sektorë si gastronomi, hotelieri apo të derivateve, pasi ata vijnë me vetura të tyre dhe shpenzojnë në Kosovë. Po ashtu një trend tjetër në rënie është edhe i investimeve të huaja direkte, e dimë se diaspora një pjesë të mirë të investimeve i adreson duke blerë banesa apo shtëpi, apo duke investuar në ndërtime të shtëpive të tyre. Kemi parë trend të rënies. Po ashtu kur vijnë sjellin edhe shumë dhurata. Shembull shumë prej diasporës sjellin vetura në Kosovë dhe kemi parë që importi i veturave ka rënie. I vetmi trend pozitiv i ndihmës nga diaspora është ai i remitencave, që përmes kanaleve zyrtare kemi një trend në rritje deri këto muaj, dhe është gjë mjaft e mirë. Edhe kësaj radhe te diaspora po dominon motivi altruist”.

Reklama e sponzorizuar

Thaqi: Jemi vonë sa i përket rimëkëmbjes ekonomike

Berat Thaqi nga Instituti GAP ka deklaruar në Interaktiv të KTV-së se Kosova është vonë sa i përket rimëkëmbjes ekonomike.

“Një vërejtje që ka qenë mjaft e shpeshtë jo vetëm nga Instituti GAP por edhe nga publiku është se jemi vonuar me ndërmarrjen e masave, për arsye të ndryshme, qoftë politike apo menaxheriale në sektorin publik”, ka thënë Thaqi. “Në përgjithësi jemi vonë, do të thotë kjo është mendimi i parë që të vjen kur mendojmë për këtë reagimin apo krizën ekonomike që e ka shkaktuar COVID-19”.

Sipas tij vendet në rajon kanë reaguar shumë më shpejtë, kanë miratuar dhe implementuar pako ndërsa Kosoca ka ngelur mbrapa.

“Së fundmi është parë një tentativë e Qeverisë që të përshpejtojë ndarjen e mjeteve financiare. Shembull ky 60 milionëshi nga Pakoja për Rimëkëmbje është shpërndarë mjaft shpejt, mirëpo ne kemi kritika se kriteret kanë qenë, janë bazuar në numër të punëtorëve që i bie se edhe bizneset që kanë mundur të kenë rritje gjatë pandemisë kanë përfituar nga kjo masë”, ka thënë Thaqi. “Në aspektin e efektivitetit është diçka që duhet të diskutohet a ka qenë efektive, mirëpo në tjetrën anë ka qenë e realizuar shpejtë, më në fund është realizuar diçka brenda javës nëse nuk gaboj. Kushtimisht po them shpejt, pasi me kohë kemi qenë mjaft vonë. Mirëpo kur është marrë si vendim është disbursuar shpejt”.

Thaqi: Po vazhdon trendi i nënshpenzimeve në shëndetësi

Berat Thaqi nga Instituti GAP ka thënë se trendi i nëninvestimit në shëndetësi publike, po vazhdon.

Ai ka thënë se nuk është diçka e re që ka nisur sot, por sipas tij, për dallim nga viti i kaluar është parë tentativë për t’u përmirësuar gjërat.

Thaçi ka thënë se ka pasur tendencë për rritje të buxhetit për shëndet dhe arsim dhe ulje të buxhetit për autostrada.

“Ka qenë një orientim i mirë por nuk ka mundur të realizohet për shkak të pandemisë. Pastaj është rishikuar buxheti dhe komplet buxheti i planifikuar ka ndryshuar. Edhe këtë vit kemi nën-shpenzime në shëndetësi, por edhe orientimi është në rënie, krahas asaj shumica e buxhetit kapital po vazhdon të menaxhohet nga Ministria e Infrastrukturës që pjesa më e madhe e investimeve kapitale do të shpenzohet në rrugë”, ka thënë ai.

Thaqi: Pritet përgjysmim të ndarjes së buxhetit për rimëkëmbje ekonomike

Berat Thaqi nga Instituti GAP ka thënë se pritet përgjysmim i ndarjes së buxhetit për rimëkëmbje ekonomike.

“Pritet pothuajse një përgjysmim i ndarjes së buxhetit për rimëkëmbje ekonomike. Natyrisht ky është njëlloj parashikimi. Për të gjitha këto shifra që po flasim, janë njëlloj planifikim dhe besoj se varet edhe nga situata e epidemisë, si do të zhvillohet, sa shpejtë do të zbulohet vaksina, sa shpejtë do të shpërndahet dhe edhe këto shifra në të ardhmen duhet të rishikohen ngase nëse pandemia zgjat deri në dimrin e vitit të ardhshëm ashtu siç është paralajmëruar edhe nga vet zbuluesi i vaksinës për arsye të kohës që merr shpërndarja e vaksinës”, ka deklaruar Thaqi në Interaktiv të KTV-së. “Atëherë besoj se ky buxhet duhet ta ketë një rishikim në vitin tjetër, veçanërisht edhe kjo pjesa e pakos për rimëkëmbje”.

Ai thotë se është shumë e rëndësishme që të ketë transparencë.

“Për ne si Institutit është tejet me rëndësi që edhe pakoja aktuale për rimëkëmbje që ka filluar së implementuari të ketë sa më shumë transparencë. Dihet se këto pako shkojnë në kategorinë e subvencioneve që është një kategori më së paku e rregulluar ligjërisht krahas kategorive tjera ekonomike buxhetore dhe për ne është tejet me rëndësi që të ketë një transparencë shumë të lartë në ndarjen e subvencioneve sepse është një situatë shumë delikate dhe e re”, ka thënë ai.