Kosova po planifikon që të aplikojë për projekte të reja infrastrukturore në kuadër të Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF), si strukturë e përbashkët e Komisionit Evropian, institucioneve financiare, donatorëve dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Në një njoftim të Ministrisë së Infrastrukturës, bëhet e ditur se ministri Arban Abrashi ka marrë pjesë në takimin e radhës të Komitetit Drejtues të WBIF-së.
Sipas njoftimit, në takim pritet hapja e mundësisë për aplikime për projekte të reja, për financime nga grantet e WBIF-së.
Në njoftim thuhet se Abrashi është shprehur falënderues që projekti i parë në kuadër të Planit për Ekonomi dhe Investime të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor është “Autostrada e Paqes” që lidh Kosovën me Serbinë.
“Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrë shumë seriozisht mundësitë që Plani i BE-së u ofron vendeve të Ballkanit Perëndimor për të bashkëpunuar dhe integruar ekonomitë e rajonit”, ka thënë Abrashi, sipas njoftimit.
Për të përfituar nga ky plan, Kosova thotë se e ka zhvilluar planin për investime për periudhën 2021-2025, ku përfshihen “projekte të propozuara për t’u financuar nga burime të ndryshme të fondeve, duke përfshirë burimet IPA III dhe WBIF”.
“Qeveria e Republikës së Kosovës tashmë është duke forcuar planifikimin e ardhshëm dhe synon të paraqes një vizion dhe objektiva afatgjatë për zhvillim për dekadën e ardhshme, të harmonizuara me marrëveshjen e gjelbër të BE-së, agjendën evropiane dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Duke qenë se përkrahja nga BE për Kosovën është nga më të mëdhatë për kokë banori në botë, Qeveria e Republikës së Kosovës e sheh IPA III dhe Planin Ekonomik dhe të Investimeve të BE-së si një ‘shtyllë’ të rritjes ekonomike të vendit”, përfundon komunikata.